KQZ-ja lejon dokumentet e skaduara për votim në përfaqësitë diplomatike
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka lejuar përdorimin e dokumenteve të skaduara për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në përfaqësitë diplomatike jashtë Kosovës.
“KQZ-ja mori vendim që më 27 dhjetor 2025, në përfaqësitë diplomatike të lejohet votimi edhe me dokumente të Republikës së Kosovës me afat të skaduar të vlefshmërisë. Ky vendim i KQZ-së vjen pas evidentimit të disa rasteve në votimin e kaluar për Kuvendin e Kosovës, i mbajtur më 8 shkurt 2025, ku votuesit e regjistruar janë paraqitur për votim me dokumente identifikimi të skaduara”, thuhet në komunikatën për media, pas mbledhjes së 105-të.
Votuesit e regjistruar paraprakisht për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike në të cilat do të organizohet votimi më 27 dhjetor, mund të identifikohen në vendvotim me njërin prej tri dokumenteve të lëshuara nga Republika e Kosovës: letërnjoftim; pasaportë; apo lejen e vozitjes.
Gjithashtu KQZ miratoi pagesën për objektiv privat që do të përdoret si Qendër Votimi në komunën e Mitrovicës së Jugut; transportin e materialeve nga Qendrat Komunale të Numërimit në Këshillat e Vendvotimeve dhe anasjelltas dhe vendimin për autorizimin e stafit rezervë të Këshillave të Vendvotimit, stafit mbështetës në procesin zgjedhor dhe stafin për tërheqje të pakove me fletëvotime nga kutitë postare.