Elezi: 88% e votuesve të regjistruar nga diaspora për votim me postë kanë pranuar fletëvotimet

Elezi: 88% e votuesve të regjistruar nga diaspora për votim me postë kanë pranuar fletëvotimet

Zgjedhjet 2025 December 18, 2025 - 13:22

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pothuajse ka arritur të dërgojë të gjitha pakot me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës, që janë regjistruar të votojnë përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar të dhënat e fundit nga ky proces, i cili, sipas tij, është duke u kryer nga KQZ-ja përmes operatorit ekonomik.

Sipas tij, nga dita martë në mëngjes, kur ka filluar shpërndarja e tyre dhe deri të mërkurën në mesnatë, janë shpërndarë 88% e pakove me fletëvotime.

“Sipas raportit që kemi pranuar, deri më 17 dhjetor 2025 (ora 23:00), nga gjithsej 57.829 dërgesa, 88% e tyre, ose 50.611, janë dorëzuar me sukses te votuesit. Nga numri i përgjithshëm i dërgesave, 48.870 (90%) janë dorëzuar te votuesit në shtete në Evropë, ndërkaq 2.141 dërgesa (51%) janë dorëzuar te votuesit në shtetet jashtë Evropës”, tha Elezi.

Elezi ka treguar se këto statistika do të ishin edhe më të larta, nëse do të dorëzoheshin me sukses edhe 1.941 pakot e tjera, por që kjo s’ka ndodhur për shkak se votuesit nuk ndodheshin në shtëpi.

“Në 1.941 raste, dërgesat nuk janë dorëzuar për shkak se votuesit nuk kanë qenë në shtëpi në momentin e dorëzimit të pakos me fletëvotim. Sipas kontratës, është detyrë e operatorit ekonomik që dorëzimin e zarfit ta kryejë tek adresa e votuesit dhe mund të pranohet vetëm nga votuesit ose familjarët, të cilët e nënshkruajnë pranimin e dërgesës. Po ashtu, sipas kushteve të kontratës, në adresë të një votuesi, do të shkohet deri në 3 herë për t’ia dorëzuar pakon me fletëvotim”, tha Elezi për Tëvë1.

Sipas Elezit, procesi i dërgimit është duke vazhduar dhe për këtë, KQZ-ja ka miratuar më herët afatet për përgatitjen, nisjen dhe dërgimin e pakove në adresë të votuesve të regjistruar.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar afatet për përgatitjen, nisjen dhe dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar për votim përmes postës. Këto afate janë pjesë përbërëse e kontratës së arritur me operatorin ekonomik. Sipas planifikimeve, arritja e fletëvotimeve për votuesit në Evropë planifikohet të bëhet nga data 16 deri më 18 dhjetor, ndërkaq për votuesit që ndodhen në shtetet janë Evropës nga 17 deri më 19 dhjetor”, tha Elezi.

Sipas KQZ-së, me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në këto 23 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.