KQZ-ja e anulon tenderin për votat jashtë vendit

KQZ-ja e anulon tenderin për votat jashtë vendit

Zgjedhjet 2025 December 10, 2025 - 10:50

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka synuar që përmes procedurës së negocimit ta japë tenderin me dy lote, që ka të bëjë me votimin jashtë vendit me arsyetimin se s’ka pasur ofertues. Vlera e tenderit është 1.8 milion, teksa është anuluar pas më pak se tri javëve para se të fillojë votimi jashtë vendit.

KQZ-ja ka anuluar tenderin njëburimor dje për shërbimet postare për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 në vlerë prej 1.8 milionëve.

Në arsyetimin që e ka publikuar KQZ-ja, thuhet se nuk ka pasur ndonjë ofertues lidhur me tenderin për shërbimet e postës për votim jashtë vendit.

Image

Votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë dhe zhvillohet nga ora 07:00 deri në orën 19:00, sipas orës lokale të vendit pritës.

Materialet zgjedhore të nevojshme për organizimin e votimit dërgohen nga KQZ paraprakisht, para ditës së votimit. Për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, votimi në përfaqësitë diplomatike do të mbahet më 27 dhjetor 2025.

KQZ-së me datë 26 dhjetor ka marrë vendim që qendrat e votimit do të hapen në këto shtete, në të cilat gjatë periudhës së regjistrimit janë regjistruar për votim një apo me shumë votues: Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Mbretëri e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Norvegji, Austri, Kanada, Francë, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Katar, Holandë, Itali, Kroaci, Çeki, Hungari, Turqi, Maqedonia e Veriut, Emiratet e Bashkuara Arabe, Australi, Mali i Zi, Shqipëri, Japoni, Izrael, Bullgari, Portugali.

Tenderi u nda në dy llote, ku pjesa e parë ndahej për përgatitjen, dërgimin dhe dorëzimin e zarfeve me fletëvotime për votim përmes postës.

Pjesa e dytë parashihte kthimin dhe transportimin e pakove me fletëvotime nga votimi përmes postës.

Në bazë të dosjes së tenderit, data e fundit për dorëzim të ofertave për operatorët ekonomikë ishte 09.12.2025, në ditën kur është anuluar tenderi. Rrjedhimisht, KQZ’së i kanë ngelur vetëm 17 ditë ta zgjidhë këtë çështje.

Tek afatet orientuese tek specifikimet për kompanitë, parashihet që nisja e pakove të fletëvotimeve nga kontraktori të bëhet nga i 10-ti deri me 15 dhjetor. Ndërkaq, arritja e tyre tek votuesit në Evropë nga 12 deri në 17 dhjetor dhe deri më 18 dhjetor tek votuesit jashtë Evropës.

Nuk dihet nëse vonesat e tilla mund ta rrezikojnë procesin e votimit jashtë vendit.

Shteti kishte pasur më herët probleme lidhur me çështjen e shërbimeve postare jashtë vendit.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e kishte ndërprerë kontratën me operatorin e papërgjegjshëm ekonomik “A.L. DUSHI SHPK” për shërbimet postare diplomatike vitin që shkoi.

Në mesin e ankesave, ambasadat thuhej se kishin pranuar zarfa të dëmtuara. Po ashtu, nuk kishin dërguar as mbi 400 pasaporta e 165 letërnjoftime dhe katër vendime për lirim ose fitim shtetësie.

Kësisoj, kjo kompani edhe ishte vendosur në listë të zezë.

KQZ-ja i ka dhënë sërish tender me formë të negociuar “CETIS”-it të famshëm slloven.

Image

Kompania sllovene sërish është kontraktuar për shtypjen e fletëvotimeve, një tender që do t’i kushtojë buxhetit 275 mijë euro.

Kjo kompani përmendet gjithashtu për lidhjet e saj me Martin Berishajn.

Në anën tjetër ky nuk është i vetmi tender i dhënë me negocim.

Në njoftimin e publikuar në e-prokurim, KQZ-ja ka bërë të ditur se ka dhënë kontratë edhe për “Transmetimin e videospoteve dhe radiospoteve në televizione dhe radio për edukim dhe informim të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës”.

Vlera e kësaj kontrate është rreth 66 mijë euro dhe fitues është shpallur kompania “RED MILL SH.P.K.”.

CETIS është kompani me bazë në Celje, Slloveni, e specializuar në shtypje të dokumenteve të sigurisë si pasaporta, karta identiteti, dokumente civile dhe materiale zgjedhore. Në Kosovë, CETIS është përzgjedhur nga KQZ për prodhimin e fletëvotimeve për zgjedhjet lokale dhe parlamentare. Sipas të dhënave financiare të publikuara, grupi CETIS realizoi 113.6 milionë euro të ardhura në vitin 2024, duke operuar në mbi 50 shtete.

Procesi i shtypjes së fletëvotimeve për Kosovën është zhvilluar nën mbikëqyrjen e delegacionit të KQZ-së, në ambientet e kësaj fabrike në Slloveni.

Por, telashe në Mitrovicë në Mitrovicën e Jugut, gjatë balotazhit të zgjedhjeve lokale ishin paraqitur.

Një pjesë e fletëvotimeve rezultuan me gabime teknike dhe mospërputhje në formatim, duke ngritur shqetësime për vlefshmërinë e rezultatit.

Lidhjet e Berishajt me CETIS

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, figuron si aksionar me 10% në kompaninë shqiptare “Nacional Sh.A.”, me aktivitet fillestar në “organizimin e llotarive dhe lojërave të fatit”.

Në dokumentet themeluese të kësaj kompanie, ndër aksionarët listohen edhe: “CETIS”, “Stil”, “Nirvana” dhe “Lucrum”, me pronarë sllovenë e kroatë.

Sipas të dhënave, Berishaj nuk e ka deklaruar këtë hisje në Agjencinë Kundër Korrupsionit të Kosovës, ndonëse është i detyruar me ligj si zyrtar publik.

Kjo lidhje e drejtpërdrejtë mes CETIS-it – që shtyp fletëvotimet për KQZ-në – dhe ambasadorit kosovar ka ngritur dyshime për konflikt interesi dhe mospërputhje me standardet e transparencës që kërkohen nga institucionet shtetërore. /Insajderi.org