LDK-ja bëhet bashkë me AKR-në dhe PD-në për zgjedhjet e 28 dhjetorit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ka arritur marrëveshje parazgjedhore me Partinë e Drejtësisë dhe Aleancën Kosova e Re për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kjo marrëveshje parasheh futjen e dy emrave të PD-së dhe tre të AKR-së në listën e LDK-së për deputetë.
Abdixhiku, këtë bashkim e konsideroi të natyrshëm “mes forcave që besojnë në shtet, në ligj, në zhvillim dhe në orientimin euroatlantik të Kosovës”.
“Në këto zgjedhje të 28 dhjetorit, LDK ndërton një front të përgjegjësisë. Një aleancë për qeverisje të mirë, për rikthimin e institucioneve, për zbardhjen e transparencës, për ekonominë, për meritat, për qytetarin dhe për Kosovën tonë të përbashkët”.
“Me PD-në dhe AKR-në ndajmë vlerat e orientimit të përhershëm pro-perëndimor; ndajmë bindjen se Kosova meriton një qeveri stabile, të urtë e me vizion; ndajmë qëllimin për ta përshpejtuar rrugën tonë drejt BE-së, NATO-s, OKB-së dhe për ta forcuar partneritetin tonë të përhershëm me ShBA-në”, tha kreu i LDK-së.
Ai potencoi se ky bashkim është pjesë e përpjekjes më të madhe të LDK-së: “të ndërtojmë një shumicë të re politike që e nxjerr vendin nga kriza, e hap zhvillimin, e kthen shpresën dhe e udhëheq Kosovën me maturi e dinjitet”.
“Jemi duke u bashkuar. Jemi duke u forcuar. Jemi duke e ndërtuar fitoren. Kosova ka nevojë për përgjegjësi. Kosova ka nevojë për shpresë. Kosova ka nevojë për LDK-në”, përfundoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.