Përfundon rinumërimi i 50 vendvotimeve, në mesditë nis rinumërimi i 177 kutive tjera
Foto: Laura Hasani

Përfundon rinumërimi i 50 vendvotimeve, në mesditë nis rinumërimi i 177 kutive tjera

Zgjedhjet 2025 March 12, 2025 - 09:58

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ka përfunduar rinumërimi i 50 vendvotimeve.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi,

“Të martën në mesnatë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar rinumërimi i fletëvotimeve nga 50 vendvotime të rregullta, sipas vendimit të KQZ-së. Ky proces u zhvillua në prezencë të vëzhguesve të akredituar”, tha Elezi.

Ai theksoi se sot në mesditë do të filloj rinumërimi i fletëvotimeve të pavlefshme nga votimi me postë.

“KQZ njofton se gjatë ditës së sotme, në orën 12:00, në QNR do të fillojë rinumërimi i 1,631 fletëvotimeve të pavlefshme nga votimi me postë, të cilat gjenden në 177 kuti të votimit, sipas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, tha Elezi për Telegrafin.

Elezi shtoi se edhe për këtë proces, KQZ ka njoftuar vëzhguesit e akredituar.

Kujtojmë se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), më 9 mars mori vendim që të rinumërohen 177 kuti të votimit, me 1613 fletëvotime që ishin shpallur të pavlefshme, të dërguara nga votuesit jashtë Kosovës në kutinë postare të KQZ-së.

Vendimi i PZAP-it ka ardhur pas ankesës së parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje pas vendimit që KQZ mori ditë më parë duke mos miratuar rinumërimin e këtyre kutive.

“Anulohet vendimi i KQZ-së i datës 06.03.2025, urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, respektivisht Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, sipas rekomandimit të Sekretariatit të KQZ të datës 06.03.2025, të bëjë hapjen e 177 kutive të votimit, me 1613 fletëvotime të pavlefshme, të dërguara nga votuesit jashtë Kosovës në kutitë postare të KQZ-së, të njëjtat fletëvotime të rivlerësohen, të numërohen dhe të përfshihen në rezultatin përfundimtar”, thuhej në vendimin e PZAP-it.