Vazhdon rinumërimi në QNR, u rinumëruan 36 nga 50 vendvotime
Foto: Laura Hasani

Vazhdon rinumërimi në QNR, u rinumëruan 36 nga 50 vendvotime

Zgjedhjet 2025 March 11, 2025 - 17:06

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar rinumërimi i vendvotimeve sipas vendimit të KQZ-së, i datës 10 mars 2025.

Sipas të dhënave, deri të martën në orën 16:00, janë rinumëruar 33 nga 35 vendvotimet nga komuna e Vushtrrisë, ndërkaq nga 15 vendvotimet e komunave tjera janë rinumëruar 3 sosh.

Në mbledhjen e mbajtur më 10 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori dy vendime për rinumërimin e 50 vendvotimve.

Fillimisht, KQZ-ja mori vendim për rinumërimin e 15 vendvotimeve nga komuna të ndryshme të Kosovës, në të cilat është zhvilluar procesi i votimit më 9 shkurt 2025.

Sipas rekomandimit të prezantuar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, gjatë pranimit të rezultateve në këtë qendër nga Qendrat Komunale të Numërimit është hasur në mospërputhje të numrit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve me numrin e fletëvotimeve brenda në kutitë e votimit të këtyre vendvotimeve.

Në vazhdim, KQZ-ja mori vendim për rinumërimin e plotë të fletëvotimeve për subjektet politike dhe kandidatët nga 35 vendvotime për shkak se ekzistojnë mospërputhje në rezultate.

“Këto vendvotime i takojnë komunës së Vushtrrisë në të cilat është votuar më 9 shkurt 2025”, ka thënë KQZ-ja.