KQZ-ja publikon formularët që u plotësuan pas numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit
Foto: Laura Hasani

KQZ-ja publikon formularët që u plotësuan pas numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit

Zgjedhjet 2025 February 20, 2025 - 15:24

Përveç publikimit të rezultateve të subjekteve politike dhe kandidatëve pas numërimit dhe verifikimit në Qendrat Komunale të Numërimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar edhe formularët e rezultateve të kandidatëve që janë plotësuar pas numërimit të votatave të tyre.

Ky lajm është konfirmuar nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se ky veprim nga ana e këtij institucioni po bëhet me qëllim të rritjes së transparencës për procesin zgjedhor.

Më tej, sipas tij, këta formularë janë plotësuar në Qendra Komunale të Numërimit, në të cilat është bërë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe janë verifikuar edhe rezultatet e subjekteve politike nga formularët e rezultateve që janë plotësuar në vendvotime më 9 shkurt.

“Me qëllim të rritjes së trasnparencës për procesin zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me publikimin e formularëve të rezultateve për subjektet politike dhe kandidatët nga Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025. Këta formularë janë plotësuar në Qendra Komunale të Numërimit gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të rezultateve të subjekteve politike nga formularët e vendvotimeve”, tha Elezi.

Sipas Elezit, publikimi i formularëve nga QKN-të sipas komunave është proces i vazhdueshëm. Pas përfudimit të numërimit, formularët e plotësuar skanohen dhe të njëjtit publikohen gradualisht në uebfaqen e KQZ-së.

“Sqarojmë se ky publikim nuk është shpallje e rezultateve përfundimtare, por këto janë forma të rezultateve të plotësuara në Qendrat Komunale të Numërimit nga ekipet e numërimit dhe të gjithë të interesuarit mund të shohin rezultatet e çdo vendvotimi duke shfletuar kopjet e formularëve”, tha ai.

Por, se kur KQZ-ja do të shpallë rezultatet përfundimtare, ky institucion nuk ka dhënë ndonjë datë të përafërt, por vetëm kanë treguar procedurat që do të ndjekin për këtë.

“Rezultatet përfundimtare të procesit zgjedhor, shpallen nga KQZ-ja pas përfundimit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga vendvotimet e rregullta; fletëvotimeve nga votimi me kusht; fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta; fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës; vendosjes për ankesat eventuale nga PZAP dhe Gjykata Supreme dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave në QNR”, tha Elezi. /express