
Krasniqi nga D+: Në 4 palë zgjedhjet e fundit, KQZ-së iu deshën mesatarisht 21 ditë për t’i shpallur rezultatet
Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka thënë se në katër palë zgjedhjet e fundit Komisionit Qendror të Zgjedhjeve iu janë dashur mesatarisht 21 ditë për t’i shpallur rezultatet dhe 32 ditë për t’i certifikuar ato.
Krasniqi në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook ka thënë se për herë të parë në Kosovë po zbatohet sistem i ri i numërimit dhe se përparësitë e numërimit të votave të kandidatëve në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) janë shmangia e rinumërimeve.
“Në katër palë zgjedhjet e fundit, KQZ-së i janë dashur mesatarisht 21 ditë për të shpallur rezultatet dhe 32 ditë nga data e mbajtjes së zgjedhjeve deri në certifikim. Nga zgjedhjet e 9 shkurtit kanë kaluar vetëm 7 ditë, ndërkohë që për herë të parë po zbatohet një sistem i ri numërimi. Partitë politike që mbështetën këto ndryshime ishin të vetëdijshme se mund të ketë vonesa në shpalljen e rezultateve të kandidatëve, por në atë kohë kjo nuk përbënte shqetësim për to. Një nga përparësitë e numërimit të votave të kandidatëve në qendrat komunale mund të jetë shmangia e rinumërimeve, të cilat në QNR shpesh arrinin deri në 88.5% të kutive të votimit. Megjithatë, është ende herët për të nxjerrë përfundime. Në fund të fundit, saktësia e rezultatit mbetet më e rëndësishme sesa shpejtësia”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
