Të dhënat e fundit nga KQZ-ja, nga dje janë numëruar 114 vendvotime
Foto: Laura Hasani

Të dhënat e fundit nga KQZ-ja, nga dje janë numëruar 114 vendvotime

Zgjedhjet 2025 February 13, 2025 - 13:51

Tashmë janë bërë dy ditë që nga fillimi i numërimit të votave për deputetë, katër prej të cilave filluan më 11 shkurt, në orën 16:00 dhe 14 të tjera pasditen e 12 shkurtit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka arritur që t’i numërojë gjithsej 114 vendvotime.

Në lidhje me këtë për lajmi.net ka folur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, i cili ka thënë se gjatë ditës do të ketë edhe të dhëna të tjera për numrin e vendvotimeve që do të numërohen dhe për qendrat e tjera.

“Ju njoftoj se nga të dhënat që kemi pranuar nga Qendrat Komunale të Numërimit në 18 komuna (4 prej të cilave filluan numërimin më 11 shkurt dhe 14 të tjera pasditen e 12 shkurtit) deri më tani janë numëruar 114 vendvotime. Gjatë ditës, do të kemi të dhëna tjera për numrin e vendvotimeve që do të numërohen dhe për qendrat tjera që do të fillojnë procesin e numërimit të votave të kandidatëve dhe verifikimin e votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të votave për subjektet politike”, ka thënë Elezi.

Derisa me 11 shkurt ky proces kishte filluar vetëm në katër komuna për të vazhduar më pas edhe në komunat tjera, kur tashmë edhe janë duke proceduar dhe nuk është paraqitur ndonjë problem.

“Më 11 shkurt procesi i numërimit ka filluar në 4 komunat: Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh, ndërkaq më 12 shkurt në komunat 14 komunat tjera: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skenderaj, Shtërpcë, Viti, Han i Elezit, Ranillug, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut”, ka thënë Elezi.

Procesi i zgjedhjeve i zhvilluan të dielën e 9 shkurtit kaloi mirë. Ani pse pati disa raportime për fotografim të votës e një përleshje fizike, nuk është se pati raportime të keqpërdorimeve të tjera.

Por problemet nisën me fillim të numërimit të votave për subjektet politike.

Në uebfaqen e KQZ-së pati probleme të shumta në lidhje me shfaqjen e përqindjes që fituan këto parti politike.

Madje në një moment këtyre subjekteve iu shtuan përqindjen e votave, ku Vetëvendosja doli me mbi 55% e partitë e tjera ranë shumë poshtë.

Por më pas doli se këto shifra ishin dezinformatë. Anipse kanë kaluar disa ditë server i KQZ-së vazhdon të jetë me probleme ku përqindja e numërimit të votave ka ngecur në 99.70%.

Këto probleme janë diskutuar vazhdimisht në publik ndërsa presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot ftoi në takim kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi me të cilin foli në lidhje me këtë situatë duke kërkuar detaje në lidhje me procesin.