![GERMIN: Votat nga konsullatat nuk kanë siguri të njëjtë sikur të Kosovës](/uploads/zeri.info/images/2025/February/11/auto_votat1739300179.jpg)
GERMIN: Votat nga konsullatat nuk kanë siguri të njëjtë sikur të Kosovës
Sipas të dhënave preliminare, numri i votave në përfaqësitë diplomatike në të cilat u zhvillua votimi më 8 shkurt 2025, është 15 mijë e 352 nga 20 mijë e 324.
Por halli tash qëndron tek forma se si këto vota nga ambasadat e Kosovës nëpër botë do të sillën në Kosovë.
Një tender me një kompani transportuese i ka dështuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve prandaj është dashur që vet të merren me këtë proces.
Në KQZ thonë se e kanë mbështetjen edhe të MPJD-së dhe disa nga votat veçse kanë arritur në Kosovë.
“Në momentin kur në një kuti postare është grumbulluar një sasi e pakove të fletëvotimeve ato janë tërhequr dhe përmes rrugëve tokësore edhe me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme që na kanë ndihmuar në transport janë tërhequr dhe janë sjellë në KQZ në një dhomë të veçantë e cila është siguruar 24h nga Policia e Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Por, nga organizata joqeveritare Germin, që merret me çështje që ndërlidhen me diasporën shqiptare, kanë një shqetësim për këto vota.
Ata po thonë se siguria gjatë transportit është e ulët sepse në këtë rast nuk përcillen nga organe të sigurisë siç ndodh me transportin e materialit në vend që bëhet nën vëzhgim të Policisë.
“Ky operacion zgjedhor pra transporti i votave nga diaspora është një nga operacionet më të pambrojtura të KQZ-së deri më tani dhe jemi pak të shqetësuar për finalizimin e këtij procesi edhe pse materialet zgjedhore janë të siguruara me shirit të sigurisë”, ka thënë Lirim Krasniqi nga GERMIN.
Nga KQZ duke mos treguar datë të saktë kanë dhënë se numërimi i votave të diasporës do të bëhet pas disa ditësh në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. /dukagjini