
Gjakova i jep mbështetje të fuqishme Mimoza Kusari-Lilës dhe LVV-së
Po vazhdon përditësimi i të dhënave mbi zgjedhjet e 9 shkurtit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas të dhënave të fundit të përditësuara në orën 09:15, gjakovarët i kanë dhënë mbështetje të madhe Mimoza Kusari-Lilës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Zeri.info.
Nga 145 vendvotime deri më tani janë procesuar 135 prej tyre dhe del se Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të marrë 47.15 për qind të votave, ose 17 mijë e 470 vota në total.
E dyta në Gjakovë radhitet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe partnerët e saj me 19.70 për qind, ose 7 mijë e 300 vota, raporton tutje Zeri.info.
Kurse e treta në qytetin e Gjakovës është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me gjithsej 6 mijë e 179 vota, ose 16,68 për qind.
Theksojmë se Mimoza Kusari-Lila është kryetare e Alternativës, parti kjo e cila është në listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje.
KËTU mund t’i shikoni në kohë reale përditësimet që bëhen nga KQZ-ja. /Zëri
