
Dështimi i softuerit të KQZ-së, Osmani kërkon që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përgëzuar qytetarët që edhe në këtë proces zgjedhor treguan kulturë të lartë demokratike.
Përmes një deklarate nga Presidenca, Osmani ka shprehur pritshmërinë që KQZ-ja do të përfundojë me sukses numërimin e votave brenda mbrëmjes së sotme, raporton Zeri.info.
Osmani ka përmendur dështimin e softuerit të KQZ-së, ndërsa ka kërkuar që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë.
Deklarata e plotë:
Deklaratë e Presidentes Presidentja e Republikës së Kosovës përgëzon qytetarët që, edhe në këtë proces zgjedhor, treguan kulturë të lartë demokratike. Ajo ka shprehur pritshmërinë që KQZ-ja do të përfundojë me sukses numërimin e votave brenda mbrëmjes së sotme. Megjithatë, pas dështimit të softuerit, informacion ky i konfirmuar nga KQZ-ja, Presidentja ka kërkuar që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë. Presidentja do të vazhdojë të jetë në kontakt me të gjitha institucionet përkatëse, deri në sigurimin e plotë që i gjithë procesi zgjedhor, përfshirë numërimin dhe publikimin e rezultateve, të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta demokratike dhe në përputhje me vullnetin qytetar. /Zëri