KQZ-ja kërkon falje, rezultatet do të publikohen manualisht, por nuk dihet se kur
Foto: Laura Hasani

KQZ-ja kërkon falje, rezultatet do të publikohen manualisht, por nuk dihet se kur

Zgjedhjet 2025 February 09, 2025 - 23:19

KQZ-ja ka kërkuar falje pasi rezultatet preliminare nuk janë publikuar online në faqen zyrtare të saj, siç ka ndodhur zakonisht në zgjedhje.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka kërkuar falje për këtë, ndërsa tha se aplikacioni për përpunimin dhe prezantimin e të dhënave nuk ka funksionuar dhe për këtë arsye rezultatet do të publikohen manualisht, duke mos treguar kohën se kur do të ndodh kjo, raporton Zeri.info.

“Ne nuk po arrimë të prezantojmë këto të dhëna përmes platformës elektronike, andaj KQZ-ja kërkon ndjesë të gjithë qytetarëve të cilët me plotë të drejt kanë pritur që të mësojnë rezultate preliminare të votimeve nga dita e sotme, në këto rrethana KQZ-ja ka shqyrtuar situatën dhe ka vendosur që të mbledh të dhënat në mënyrë manuale. Sigurojmë qytetarët e Kosovës se mos transmetimi i të dhënave përmes platformës elektronike nuk ka asnjë ndikim në rezultatet që tashmë janë pjesë e formularëve dhe pasi ti grumbullojmë në mënyrë manuale do t’i publikojmë”, tha Radoniqi, transmeton Zeri.info.

Ai tha se do të mbledhin të dhënat dhe pastaj do t’i publikojmë, por nuk caktoi kohën.

"Ne,stafi i KQZ-së do të jemi gjithë natën dhe do të punohet që të gjitha të dhënat nga formularët e fletvotimeve të futen manualisht në kompjuter. A është 3 apo 4 i mëngjesit nuk mund të them. Do të bëjmë procesimin dhe do t’i publikojmë, a i publikojmë përmes mediave a në konferencë do të njoftojmë më vonë”, tha ai. /Zëri