KQZ: Rezultatet preliminare pritet t’i kemi shumë shpejt

KQZ: Rezultatet preliminare pritet t’i kemi shumë shpejt

Zgjedhjet 2025 February 09, 2025 - 18:01

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media ka thënë se rezultatet preliminare të zgjedhjeve të sotme parlamentare në Kosovë do të dihen “shumë më shpejt”, për dallim prej herave të kaluara.

Fillimisht do të bëhet numërimi vetëm i votave për subjektet politike dhe për këtë shkak, KQZ-ja pret se do t’i japë shpejt rezultatet preliminare.

“Po shpresojmë që, duke pasur parasysh që numërimi i fletëvotimeve në vendvotime do të bëhet vetëm për pjesën e fletëvotimit ku qytetarët kanë përzgjedhur subjektet politike, do të bëhet më shpejt – sepse nuk do të kemi numërimin e pjesës së fletëvotimit ku qytetarët kanë përzgjedhur edhe kandidatët për deputetë, po shpresojmë që brenda një kohe të shpejtë të arrijmë t’i kemi rezultatet preliminare nga vendvotimet për subjektet politike”, tha Elezi.

Për kohën e saktë tha se nuk mund të flasë.

“Sigurisht që do t’ju njoftojmë, por do të mund ta shihni edhe në uebfaqen e KQZ-së kur të dhënat nga vendvotimet fillojnë të vijnë e të shfaqen dhe dalëngadalë do të mund të shihni përditësimin e tyre dhe votat për secilin subjekt politik garues”, tha Elezi.

Kjo, ai tha se do të varet “nga ecuria e numërimit të fletëvotimeve në vendvotime dhe ngarkimit të këtyre të dhënave nga zyrtarët tanë që janë në këto qendra votimi”.