Presidentja Osmani: Ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për demokracinë tonë
Foto: Laura Hasani

Presidentja Osmani: Ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për demokracinë tonë

Zgjedhjet 2025 February 09, 2025 - 12:07

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se shpreson që e mbara t’i prijë Kosovës dhe që procesin e zgjedhjeve e sheh si shumë të rëndësishëm, meqë, sipas saj, Kosova është lidere për nivelin e demokracisë në rajon.

Ajo i ka bërë këto deklarata pasi ka votuar në një qendër votimi në Prishtinë.

“Duhet ta mbajmë të tillë [nivelin e demokracisë] dhe duhet ta zhvillojmë edhe më tej. Sot është ditë vendimtare që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të japin kontribut në këtë drejtim, duke marrë pjesë në procesin më të rëndësishëm, nga i cili përcaktohet parlamenti i ardhshëm, pastaj edhe institucionet e tjera dhe merren vendime që kanë rëndësi për kualitetin e jetës së tyre”.