100 prokurorë të angazhuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor
Foto: Laura Hasani

100 prokurorë të angazhuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

Zgjedhjet 2025 February 09, 2025 - 08:38

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor sot në Kosovë janë angazhuar rreth 100 prokurorë të shtetit, për të mbrojtur votën.

Ata do të qëndrojnë deri në përfundim të procesit zgjedhor me qëllim të procedimit të çdo parregullsie, raporton Zeri.info.

“Prokurorët do të qëndrojnë në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, edhe koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula do ta mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në KQZ.

“Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, thuhet ndër tjera. /Zëri