Hamza premton rritje të pagave për 50% në sektorin publik
“Për shumëkënd jeta në Kosovë është shumë e vështirë”.
Kështu shprehet kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, ku shton se me rritjen e çmimeve, qytetarët mezi ia dalin ta kalojën muajin me pagën që e marrin.
Këtë brengë e ka edhe një qytetar i Kosovës.
“Frika jem ma e madhe është që pa marrë parasysh sa shumë punoj, nuk kam me mujt me mbajt familjen dhe me siguru jetesë të mirë për fëmijët e mi. Pagat janë të ulëta, e shpenzimet vazhdimisht po rriten. Është brengë konstante që e kam”, thotë ai në një video të publikuar nga Hamza.
Lidhur me këtë kandidati për kryeministër premton rritje të pagave deri në 50 për qind për çdo punëtor të sektorit publik.
“Pagat e të gjithë punëtorëve në sektorin publik do të rriten për 50 për qind. Puna juaj do të vlerësohet drejtë. Ekonomia mundet ma mirë, vetëm nëse shteti i mbështet qytetarët dhe familjet e tyre. Pagat e të gjithë punëtorëve në sektorin publik do të rriten për 50% dhe puna e çdo qytetari do të vlerësohet drejtë”, thotë Hamza.