LVV-ja, LDK-ja dhe PDK-ja ndëshkohen me gjoba të majme nga PZAP-i për shkelje në fushatë
Foto: Laura Hasani

LVV-ja, LDK-ja dhe PDK-ja ndëshkohen me gjoba të majme nga PZAP-i për shkelje në fushatë

Zgjedhjet 2025 February 03, 2025 - 00:00

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shqiptuar gjoba të larta ndaj subjekteve politike për shkeljet e bëra gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Deri më 2 shkurt, vlera totale e gjobave të vendosura nga PZAP ka arritur në 515,000 euro.

Gjobat janë shqiptuar për shkelje të ndryshme të Kodit të Etikës, duke përfshirë përdorimin e gjuhës nxitëse të urrejtjes, përdorimin e resurseve publike për qëllime elektorale, vendosjen e materialit propagandistik në hapësira publike pa leje dhe përfshirjen e fëmijëve në aktivitetet e fushatës.

Subjektet më të ndëshkuara nga PZAP-i:

Sipas vendimeve të PZAP-it, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kryeson listën e shkelësve me 30 raste të evidentuara, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 20 raste, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 19 raste, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 8 raste dhe Koalicioni për Familjen me 5 raste.

Në aspektin financiar, gjobat janë shpërndarë si më poshtë:

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – 171,000 euro

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 125,000 euro

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 97,500 euro

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 66,200 euro

Koalicioni për Familjen – 26,100 euro

Lista Serbe – 13,500 euro

Partia Liberale Egjiptiane (PLE) – 3,000 euro

SRB Demokratija – 7,500 euro

Partia Kosovksi SRBA – 7,200 euro

Nova Stranka – 1,500 euro

Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK) – 1,500 euro

Partia e Ashkalinjve për Integrim – 1,000 euro

Shkeljet më të shpeshta gjatë fushatës

PZAP ka evidentuar një numër të madh shkeljesh nga subjektet politike, duke përfshirë:

Përdorimi i gjuhës së urrejtjes: Disa kandidatë kanë përdorur retorikë përçarëse dhe fjalor ofendues kundër kundërshtarëve politikë gjatë tubimeve dhe postimeve në rrjete sociale.

Keqpërdorimi i resurseve publike: Kandidatë dhe zyrtarë të caktuar janë kapur duke shfrytëzuar hapësirat publike dhe institucionet shtetërore për promovim elektoral.

Vendosja e materialeve propagandistike pa leje: Posterët dhe banderolat e partive janë vendosur në hapësira publike pa lejen e autoriteteve përkatëse.

Përdorimi i fëmijëve në aktivitete elektorale: Në disa raste, janë raportuar tubime elektorale ku kanë marrë pjesë fëmijë nën moshën 15 vjeç, duke shkelur rregullat e fushatës.

PZAP ka theksuar se masat ndëshkuese synojnë të mbajnë një proces zgjedhor të drejtë dhe të lirë nga presionet e paligjshme. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse këto gjoba do të kenë ndikim në sjelljen e partive politike në ditët e mbetura të fushatës.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 pritet të jenë një ndër proceset më të vëzhguara, duke pasur parasysh tensionet politike dhe sfidat në respektimin e rregullave zgjedhore.