![Shaqir Kryeziu premton të jetë zëri i sektorit të bujqësisë dhe fermerëve në Kuvendin e Kosovës](/uploads/zeri.info/images/2025/January/31/auto_bd2404ee-8df6-4fc3-8670-9f975c8afec61738310574.jpg)
Shaqir Kryeziu premton të jetë zëri i sektorit të bujqësisë dhe fermerëve në Kuvendin e Kosovës
Shaqir Kryeziu është një nga kandidatët për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Me një përvojë të gjatë në bujqësi dhe zhvillim rural, ai ka vënë në qendër të fushatës së tij investimet në këtë sektor dhe përkrahjen për fermerët, duke u angazhuar për politika që do të përmirësojnë jetën e komuniteteve rurale.
Kryeziu garon me numrin 89 në listën e LDK-së.
Në deklaratat e tij publike, Kryeziu ka theksuar rëndësinë e një qasjeje të re dhe të reformuar në sektorin e bujqësisë, duke premtuar një angazhim të fuqishëm për fermerët dhe zhvillimin e zonave rurale.
"E filloj këtë rrugëtim politik duke bartur pas vete mbi 25 vite përvojë në bujqësi dhe zhvillim rural dhe mbi 35 vite përvojë si aktivist politik, duke besuar se mund të jap kontribut për adresimin dhe zgjidhjen e problemeve të qytetarëve tanë, veçanërisht duke qenë zëri promovues i sektorit të bujqësisë dhe fermerëve", ka deklaruar ai.
Në kuadër të programit të tij, Kryeziu ka paralajmëruar masa konkrete që përfshijnë:
Rritjen e investimeve në infrastrukturën bujqësore dhe përmirësimin e kushteve për fermerët.
Lehtësimin e procedurave për subvencione dhe grante, duke ofruar mbështetje financiare për fermerët dhe bizneset agrare.
Nxitjen e modernizimit të bujqësisë përmes teknologjisë dhe inovacionit, me synim rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë në treg.
Përmirësimin e qasjes në treg për produktet vendore dhe mbrojtjen e prodhimeve vendase përballë konkurrencës nga importet.
Duke qenë një njohës i mirë i sfidave me të cilat përballen fermerët në Kosovë, Kryeziu synon të jetë zëri i tyre në Kuvend, duke punuar për krijimin e politikave të qëndrueshme që mbështesin zhvillimin rural dhe sigurojnë një të ardhme më të mirë për komunitetet bujqësore. Me këtë qasje, ai shpreson të fitojë besimin e qytetarëve dhe të kontribuojë në rritjen dhe zhvillimin e sektorit bujqësor në Kosovë. /Zëri