Pengimi i gazetarëve në fushatën e LVV-së në Malishevë: Vetëvendosja dënohet me 5 mijë e 500 euro
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar Lëvizjen Vetëvendosje me 5 mijë e 500 euro gjobë për pengimin e gazetares së Nacionales, Besarta Hoti, në tubimin e partisë në pushtet në Malishevë.
Ani pse Vetëvendosja kishte dërguar përgjigje në ankesë në PZAP për ta mohuar këtë rast, megjithatë Paneli vendosi ta dënojë.
“Paneli, pas shikimi të shkresave të lëndës dhe videoincizimit të ofruar si dëshmi, ka vërtetuar se subjekti politik LVV, më datë 25.01.2025, në orën 18:00, ka mbajtur fushatën zgjedhore në qytetin e Malishevës, përkatësisht në Palestrën e Sportit dhe gjatë mbajtjes së tubimit mbështetësit përkatësisht organizatorët e këtij subjekti në kundërshtim me dispozitat ligjore Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, kanë penguar gazetarët në kryerjen e detyrave të tyre profesionale, me ç’rast gjatë pengimit të tyre subjekti politik LVV ka shkelur Nenin 34, paragrafi 1.5 të LZP-së, i cili përcakton se ‘Gjatë periudhës së fushatës, subjekti politik mbështetësit ose kandidatët e tij, ndalohen nga pengimi se tentimi për pengimin e gazetarëve për të përmbushur detyrat e tyre profesionale’”, thuhet tutje në vendim.