Abdixhiku premton investime të mëdha dhe zhvillim për Prishtinën

Abdixhiku premton investime të mëdha dhe zhvillim për Prishtinën

Zgjedhjet 2025 January 29, 2025 - 21:21

Në Kodër të Trimave, kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka premtuar 1.5 miliardë euro investime, siç tha ai, për të bërë ndryshimin e madh.

"1.5 miliardë euro investime, do të investojmë këtu, në fshatin olimpik, pallatin olimpik, fakultetin sportiv. Merreni me mend se si do të duket Prishtina me gjithë këto investime," ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku ka premtuar edhe unazën e qytetit, spitalin e kryeqytetit dhe parkun teknologjik, për të cilin tha se kap vlerën e 45 milionë eurove.

"Bashkë me Përparimin do ta bëjmë unazën e qytetit, do ta ndërtojmë spitalin e kryeqytetit, me kushte, dhe Parkun më të madh teknologjik, 45 milionë euro, 35 mijë të punësuar, për ta bërë këtë vend një vend të zhvillimit ekonomik," ka shtuar ai.

Qytetarëve të Kodrës së Trimave, Abdixhiku u tha se lista e kandidatëve për deputet nga Prishtina të Lidhjes Demokratike të Kosovës është lista që do t’i përfaqësojë denjësisht qytetarët e kryeqytetit.