Abdixhiku premton fitoren në Prizren dhe zhvillim të shpejtë për Kosovën

Abdixhiku premton fitoren në Prizren dhe zhvillim të shpejtë për Kosovën

Zgjedhjet 2025 January 29, 2025 - 20:54

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Prizreni do t’ia jap fitoren kësaj partie më 9 shkurt.

Në tubimin elektoral në këtë qytet, Abdixhiku ka thënë se qytetarët duhet ta bëjnë ndryshimin pasi “nuk ka kohë për ankesa”.

Këtij qyteti, Abdixhiku i premtoi ndërtimin e spitalit në vlerë prej 10 milionë euro.

“Si bartës të së djathtës, si bartës politik të lëvizjes për liri, për demokraci e për pavarësi, neve, Lidhjes Demokratike të Kosovës, na takon ta bëjmë rrugën e zhvillimit, rrugën e konsolidimit shtetar e rrugën e integrimit euroatlantik. E shkuara jonë është e lavdishme, është e papërsëritshme! E ardhmja jonë është e padefinuar. Ajo pret veprimet tona. Pret sjelljen tonë! Dhe sot, unë dhe bashkëpunëtorët e mi, dalim para jush për të përqafuar këtë të ardhme që e ëndërrojmë. Kosova, Republika jonë, qëndron në udhëkryqin më të madh politik e ekzistencial që nga themelimi i saj si shtet i pavarur e sovran”, ka thënë Abdixhiku.

“Prandaj sot, mbi të gjitha, nuk qëndroj para jush te them se jemi te varfër. Të ju ftoj në dorëzim e ankesa. Ankesat janë për të dobëtit. Puna është për të fortit. Sot qëndroj para jush me zotimin për një ambicie të madhe. Një që ju fton juve dhe secilin tjetër të besojnë në Kosovë. Ky vend i pasurive përrallore, i njerëzve të shkëlqyeshëm e familjeve punëtore, ka një tregim të bukur përpara. Ky tregim na vjen si thirrje e gjyshërve tanë e si detyrim ndaj fëmijëve tanë. Ky tregim na thërret që të bëhemi të barabartë mes popujve e kombeve evropiane”, u shpreh ai, teksa foli edhe për rritjen e koeficientit në 150.

“Aty ku ata kanë vështruar rritjen e çmimeve e sfidën e përballueshmërisë, ne kemi ofruar paga të larta e të ardhura me dinjitet. Koeficienti 150, që në javën e parë të qeverisë së re, për shërbyesit civil, është zotimi ynë i parë – është vendimi ynë i parë! Një javë, 150. Aty ku s’kanë bërë punë në rrugë për katër vjet, ne kemi projekt infrastrukturore që transformojnë këtë shtet. Magjistralet e Autostradat e nisura në dekada, duhet të përfundojnë për tri vjet – asnjë ditë më shumë. Aty ku shtrenjtimi i energjisë elektrike s’ka fund, ne kemi plan për Central me Gaz, për stabilitet furnizimi, për një ekonomi të sigurt me partnerë! Rruga e Re, ka 120 projekte, ka 5 miliardë euro investime, ka 5 miliardë euro buxhet, ka 5% rritje ekonomike”.