Këto parti u dënuan më së shumti për mosrespektim të rregullave gjatë fushatës
Foto: Laura Hasani

Këto parti u dënuan më së shumti për mosrespektim të rregullave gjatë fushatës

Zgjedhjet 2025 January 23, 2025 - 08:23

Mbi 120 mijë euro gjobë janë shqiptuar për 10 ditë të fushatës zgjedhore ndaj partive politike, për shkak të thyerjes së rregullave të fushatës. Lidhja Demokratike prin e para me shumën e dënimit të marrë, pasur nga PDK-ja, AAK-ja dhe Vetëvendosja.

“Të dashur qytetarë të Llapit, LYDYKYHI, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është një lidhje, por është një lodhje nuk është demokratike, por është demokratike”, kështu u shpreh kryeministri Kurti në një tubim me qytetarë.

Kjo deklaratë e kreut të Vetëvendosjes ditë më parë i kushtoi këtij subjekti 3500 euro.

Kështu vendosi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në vendimin e marrë pas ankesës së LDK-së për nxitje të gjuhës së urrejtjes.

Por Lëvizja Vetëvendosje është partia që ka më së paku shkelje për 10 ditë të fushatës zgjedhore.

PZAP-i ka shqiptuar mbi 120 mijë euro gjoba partive politike, ku partia e cila prin me shumën më të madhe të dënimit është LDK-ja.

“Ky institucion ka shqiptuar një mori gjobash ndaj subjekteve politike që kanë shkelur rregullat e fushatës zgjedhore, shumë totale e gjobave që ka shqiptuar PZAP është 121 mijë e 500 euro, ku prin LDK-ja, me 45 mijë euro gjobë, PDK-ja me 43 mijë euro gjobë, AAK me 23 mijë e 500 euro gjobë dhe LVV me 10 mijë euro gjobë”, ka thënë Vullnet Bugaqku nga KDI-ja për Dukagjinin.

Se cilat janë shkeljet që po bëjnë partitë politike treguan për televizionin nga Instituti Demokratik i Kosovës.

“Kryesisht shkeljet kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes, me përdorimin e pasurisë apo resurseve publike, si dhe kohëve të fundit ka gjobë për vendosjen e postierëve apo materialit të fushatës zgjedhore nëpër hapësira publike”, thotë ai.

E nga Lëvizja Fol presin që këto dënime të ndikojnë që partitë politike të jenë më të kujdesshme në respektimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

“Ne do të shohim nëse këto parti politike a po arrijnë që të përmirësojnë këtë gjuhë që po përdorin, si po ndikojnë këto vendime te vetë partitë politike, pasi këto vendime të PZAP-it do të duhej të kishin ndikim në fushatën e partive politike”, thotë Viona Bunjaku.

Partitë politike kanë afat që brenda 15 ditësh të paguajnë gjobat e shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për ankesa dhe parashtresa.