Për herë të parë monitoron zgjedhjet në Kosovë, Misioni i KiE-së takohet me Osmanin

Për herë të parë monitoron zgjedhjet në Kosovë, Misioni i KiE-së takohet me Osmanin

Zgjedhjet 2025 January 17, 2025 - 15:09

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i kryesuar nga Petra Bayr, i cili do t’i vëzhgojë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 9 shkurtit.

Presidenca ka njoftuar se Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) ndaj institucioneve të Kosovës dhe mirëpriti angazhimin e këtij misioni, i cili për herë të parë do t`i monitorojë zgjedhjet në Kosovë.

“Në takim u theksua se zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 janë zgjedhjet e para të rregullta që do të mbahen në përputhje me Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme, ndaj Presidentja vlerësoi këtë moment si një hap të rëndësishëm në përmirësimin e proceseve demokratike në vend”.

“Presidentja Osmani nënvizoi nevojën për një fokus të veçantë në përfaqësimin e grave në të gjitha fazat e procesit zgjedhor, sikurse edhe respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke siguruar qasje të plotë dhe të barabartë në qendrat e votimit”, thuhet në komunikatë.

Më tej, thuhet se Osmani ka potencuar se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ndaj do të vazhdojë ta fuqizojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit. /Zëri