Prokuroria e Shtetit angazhohet për mbrojtjen e votës së lirë për zgjedhjet e 9 shkurtit
Foto: Laura Hasani

Prokuroria e Shtetit angazhohet për mbrojtjen e votës së lirë për zgjedhjet e 9 shkurtit

Zgjedhjet 2025 January 16, 2025 - 12:21

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se Prokurori i Shtetit ka filluar angazhimin për mbrojtjen e votës së lirë gjatë zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.

Pas informacioneve për raste të dyshuara të cenimit të fshehtësisë së votimit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrin hetime për shkeljet e mundshme.

“Në kuadër të këtij angazhimi dhe pas pranimit të informatave se ka raste të dyshuara në drejtim të veprës penale ‘Cenimi i fshehtësisë së votimit’, nga Neni 215 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet në komunikatën për media.

Prokurori i Shtetit ka shtuar se do të ndalohen çdo përpjekje për keqpërdorimin e votës dhe ka ftuar qytetarët të bashkëpunojnë, duke dërguar informacione në Prokurori.