Diaspora mund të votojë që nga nesër

Diaspora mund të votojë që nga nesër

Zgjedhjet 2025 January 08, 2025 - 09:45

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do ta miratojë sot fletën e votimit për zgjedhjet e 9 shkurtit, e nesër më 9 janar nis procesi i votimit për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar për Ekonominë Online se pas tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, në mbledhjen e sotme KQZ-ja ka në rend dite shqyrtimin dhe miratimin e dizajnit dhe përmbajtjes së fletëvotimit për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Elezi ka njoftuar se të enjten pritet të fillojë votimi për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës.

“Pasi KQZ-ja të miratojë fletëvotimin e zgjedhjeve, më 9 janar do të fillojë procesi i votimit jashtë Kosovës për votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës”, tha ai.

Gjithashtu, Elezi ka theksuar se miratimi i fletëvotimit mund t’u shërbejë edhe subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore, e cila fillon zyrtarisht më 11 janar.