Haradinaj në Pejë e Deçan: Gratë vendosin vetë
Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës në Deçan e Pejë, ka takuar gratë e këtyre komunave në kuadër të prezantimit të programit zgjedhor.
Aty ai u shpreh se vizioni i koalicionit është fuqizimi i rolit të gruas nga e drejta e trashëgimisë, te fuqizimi ekonomik.
“Gratë vendosin vetë, ato kanë vendosur 137. Sot, në takime të ndara në Deçan e Pejë, shpalosëm vizionin tonë drejt fuqizimit të rolit të gruas, nga e drejta e trashëgimisë, te fuqizimi ekonomik”, ka thënë Haradinaj.
Ai po ashtu ka prezantuar plane konkrete veprimi.
Ndryshimi i parë i menjëhershëm do të jetë zbatimi në plotni i Ligjit për trashëgiminë, ku çdo grua do të jetë trashëguese dhe bartëse e barabartë e pronës së paluajtshme.
Shteti do të ofrojë garanci dhe do të subvencionojë hua për biznese që udhëhiqen nga gratë.
Do ta zbatojmë orarin fleksibil për gratë shtatzëna, ato që kanë fëmijë nën moshën shkollore.
Nënat që kanë 3 e më shumë fëmijë do të përfshihen në pagën minimale prej 500 eurosh.
Do të mbështesim krijimin e familjeve të reja dhe rritjen e tyre: për fëmijën e parë do të jepen 1500 euro, për të dytin 2500 euro, dhe për të tretin 3500 euro.
“Ky është zotimi ynë për të ndërtuar një Kosovë ku barazia gjinore dhe mirëqenia familjare janë themel i shoqërisë sonë”, përfundoi Haradinaj.