KQZ: Hapet aplikimi online për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhje
Foto: Laura Hasani

KQZ: Hapet aplikimi online për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhje

Zgjedhjet 2025 January 03, 2025 - 13:28

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka filluar periudha e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve për vëzhgimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Në njoftim bëhet e ditur se për të lehtësuar aplikimin, KQZ-ja ka funksionalizuar platformën online: https://vezhgo.kqz-ks.org.

Subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediet si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund ta dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve brenda afateve të caktuara përmes platformës elektronike.

Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike të certifikuara do të përfundojë më 15 janar 2025, për akreditimin e vëzhguesve të OJQ-ve vendore do të përfundojë më 25 janar 2025, për akreditimin e vëzhguesve të organizatave qeveritare – ndërqeveritare do të përfundojë më 25 janar 2025, për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare do të përfundojë më 4 shkurt 2025, për akreditimin e vëzhguesve të përfaqësive të vendeve të huaja do të përfundojë më 25 janar 2025, afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të organizatave ndërkombëtare do të përfundojë më 25 janar 2025.

"Vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund t’i vëzhgojnë Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025 dhe aktivitetet tjera që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve" , thuhet në njoftimin e KQZ-së.