Memli Krasniqi: Rinia, ambasadore e mesazhit tonë se “Kosova mundet më mirë”

Memli Krasniqi: Rinia, ambasadore e mesazhit tonë se “Kosova mundet më mirë”

Zgjedhjet 2025 December 24, 2024 - 10:33

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një tubim madhështor me rininë tha se vizioni i PDK-së për një Kosovë më të mirë nuk mund të realizohet pa angazhimin e Rinisë Demokratike të Kosovës.

Krasniqi është shprehur se rinia është bartëse e shpresës për një të ardhme më me perspektivë.

“Jini ambasadorët e mesazhit tonë, kampionët e çështjes sonë dhe udhëheqësit e ekipit tonë. Teksa shikoj përreth kësaj salle, unë shoh të ardhmen e Kosovës. Shoh udhëheqës, aktivistë dhe nismëtarë të ndryshimit. Shoh shpresë, qëndrueshmëri dhe vendosmëri. Prandaj, le të ecim përpara të gjithë së bashku me besim dhe qëllim. Çdo arritje e madhe fillon me një ëndërr, por realizohet nëpërmes veprimit. Ëndërroni shumë, punoni fort dhe kurrë mos humbisni besimin në fuqinë e potencialit tuaj. Kosova ka nevojë për ju, sepse, me ju, Kosova mundet ma mirë”, tha ai.

Krasniqi theksoi se vizioni i PDK-së është i guximshëm dhe transformues, që i prin në zgjedhjet e 9 shkurtit kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, një udhëheqës që kupton sfidat me të cilat qytetarët përballen.

“Ju e dini e sfidat mund të jenë diçka e re dhe e papërballueshme për secilën parti tjetër, mirëpo jo për Partinë Demokratike të Kosovës. Ne kemi lindur në sfida e kohë të vështira. Por, ADN-ja jonë nuk ka të bëjë me dorëzimin para tyre, por me ngadhënjimin dhe fitoren ndaj tyre. Sot, si shtet dhe shoqëri ne qëndrojmë në një udhëkryq, ku zgjedhjet që bëjmë do të përcaktojnë të ardhmen e vendit tonë. Dhe nuk kam asnjë dyshim se ju, rinia jonë, do të na prini në rrugën e duhur”, shtoi Krasniqi.

Lideri i PDK-së tha se ëndrra për Kosovën ekonomikisht të zhvilluar, unitare dhe jo përçarëse, globalisht të integruar, anëtare të BE-së dhe NATO-s është një qëllim që brezat duhet ta arrijnë se bashku.

“Ne jemi të përkushtuar për të ju fuqizuar ju në çdo hap të rrugës. Në këtë drejtim, tashmë ju keni edhe Kryetaren e Rinisë Demokratike të Kosovës si kandidate për deputete. Mbështetja për të, është mbështetje për vetveten tuaj, sepse, mbi të gjitha, Arbnora do të përfaqësojë dhe mbrojë interesat tuaja në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh Krasniqi.

Në anën tjetër, kandidati për Kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se plot me energji e forcë për t’i thyer barrierat, për t’i shtyrë kufijtë e së mundshmes dhe për ta sfiduar Status Quo-në ishin edhe të rinjtë tanë.

“Ne ofrojmë vizion e program për një Kosovë që u jep mundësi të rinjve, që krijon vende pune, forcon arsimin dhe garanton drejtësi për të gjithë. Dhe, demokratët e rinj, të palodhur në punë e të pandalshëm në terren, çdo ditë po e shpërndajnë këtë mesazh gjithandej Kosovës”, ka thënë Hamza.

Ai ka shtuar se çdo hap që hedhin, çdo derë që trokasin dhe çdo person që bindin është një kontribut më shumë për një Kosovë që mundet ma mirë.

Kryetarja e Rinisë Demokratike të Kosovës, Arbnora Salihu, e cila është edhe kandidate për deputete, u zotua se bashkë me të rinjtë e Kosovës, do të bëhen bashkë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.