Zgjedhjet e 6 tetorit, më të paparashikueshmet
FOTO: Laura Hasani

Zgjedhjet e 6 tetorit, më të paparashikueshmet

Zgjedhjet 2019 September 23, 2019 - 08:04
Lexon detajet
Image

Edhe pse kanë mbetur më pak se 15 ditë nga zgjedhjet e reja, rezultati i tyre po pritet të jetë i befasishëm e madje formimi i qeverisë po konsiderohet i paparashikueshëm, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ndonëse që nga paslufta janë mbajtur gjashtë palë zgjedhjesh, këto të fundit, që do të mbahen më 6 tetor, po konsiderohen të jenë më të paparashikueshmet. Se kush do të udhëheqë me qeverinë e ardhshme pritet të jetë befasi, për shkak të rezultatit të ngushtë që partitë politike patën në mes vete në zgjedhjet e kaluara, por edhe për arsye se në këto zgjedhje tri nga subjektet më të mëdha politike kanë garuar të vetme.

LEXO EDHE: Loja me autostradën multimilionëshe të Gjilanit

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se është herët të konkludohet se kush mund ta formojë qeverinë, por ata theksojnë se nuk duhet të jenë të habitshme kombinatorikat e ndryshme të partive në këto zgjedhje, të cilat siç thonë ata, varen nga interesat personale e partiake për pushtet.

Analistët nënvizojnë se mundësi më të vogla për të improvizuar do të jepte koalicioni parazgjedhor mes LDK-së e LVV-së, i cili ende nuk është provuar nga qytetarët, ndonëse nuk e përjashtojnë asnjë mundësi të jetë i njëjtë me qeverisjet e kaluara.

Dështimi i koalicionit LDK - LVV ka lënë hapësirë për improvizime

Njohësi i rrethanave politike në vend Mazllum Baraliu duke folur për “Zërin” është shprehur se pas zgjedhjeve të 6 tetorit është vështirë e parashikueshme se kush do ta bëjë qeverinë. Ai thotë se mungesa e parimeve te subjektet politike mund të sjellë çfarëdo befasish pas zgjedhjeve.

“Kombinatorikat janë të paparashikueshme, gjithçka mund të ndodhë për shkak të mungesës së parimeve, të etikës dhe të moralit politik. Shumë herë ndodh që para zgjedhjeve partitë i orientojnë votuesit për një qeverisje tjetër fare, ndërkohë që pas zgjedhjeve bashkohen me kundërshtarët e tyre, me të cilët kanë kundërshti edhe në pikëpamje programore, edhe në ato ideologjike. Kështu që është e mundur të ndodhë çdo gjë pas zgjedhjeve”, ka thënë Baraliu.

Mirëpo Baraliu thekson se një hapësirë tjetër për improvizim pas zgjedhjeve e ka lënë edhe dështimi i koalicionit parazgjedhor LDK - LVV.

“Koalicioni parazgjedhor mes LDK-së dhe LVV-së mund t’i prishte llogaritë e shumëkujt për mundësitë e kombinimeve dhe koalicioneve paszgjedhore. Këto dy subjekte para zgjedhjeve mund të kenë pasur bindje se do të jenë të parat, por kjo mund të jetë mashtrim ose iluzion i krijuar sepse asnjëherë nuk dihet ajo që do të nxirret nga zgjedhjet e 6 tetorit. Tani mbetet që ta provojnë fatin e tyre, por edhe befasitë e pakëndshme që mund t’u ndodhin këtyre dy subjekteve me kombinimet që mund të vijnë pas zgjedhjeve”, ka deklaruar Baraliu.

Tri parti të nevojshme për ta bërë qeverinë

Ndërsa politologu Ramush Tahiri duke folur për gazetën është shprehur se në këto zgjedhje do të jetë i nevojshëm një koalicion në mes tri partive për ta bërë të mundshëm formimin e qeverisë.

“Në fund të zgjedhjeve nuk do ta kemi vetëm një fitues, do të jetë e nevojshme që të bashkëpunojnë së paku tri parti për ta bërë qeverinë. Për një partner të tretë do të ketë nevojë ose LDK-ja me Vetëvendosjen, ose LDK-ja me PDK-në ose PDK-ja me Vetëvendosjen, sepse këto tri parti llogaris që do të jenë më afër 30-përqindëshit të votave. Koalicioni paszgjedhor duhet t'i sigurojë mbi 61 vota, por me dy parti siç po shihet është e vështirë të bëhet qeveria, sepse nuk parashihet që partitë e para munden njëra t'i marrë 30 e tjetra 35 për qind të votave”, ka thënë ai.

Tahiri shton se nëse Lidhja Demokratike e Kosovës del e para, atëherë duhet të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje sepse është opsioni i vetëm që nuk është provuar, ndonëse thekson se nuk mund të paragjykohet se a do të jetë qeverisje e mirë.

Koalicionet e lakmisë

Mazllum Baraliu thekson se pas zgjedhjeve të 6 tetorit mund të përsëriten koalicione që në krye të qeverisë të vijnë parti, të cilat mund të kenë dalë të tretat ose të katërtat në zgjedhje. Kësisoj ai potencon se interesi për përfitime dhe për pushtet mund të bëjë bashkë subjekte politike që në programet e tyre nuk kanë asgjë të përbashkët.

“Ka dy variacione që do t’i bëjnë të mundshme koalicionet e panatyrshme paszgjedhore. E para është interesi politik dhe dashuria e madhe për pushtet, për arsye se pushteti këtu te ne fatkeqësisht nënkupton përfitime dhe pasuri të mëdha. Dhe variacioni i dytë janë koalicionet e lakmisë, të interesit e të përfitimeve që ndodhin edhe brenda disa minutave, pa marrë parasysh se çfarë orientime kanë subjektet politike dhe çfarë mjete mund të përdorin kundër njëra-tjetrës, ata mund të bashkohen siç i bashkon interesi dhe kjo është e mundur edhe pas këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Baraliu.

Ndonëse në Kosovë ka pasur përvoja të befasishme të koalicioneve, si ai i LDK-së me PDK-në në zgjedhjet e 2014-s ose ai i mes partnerëve të PAN-it në momentet e fundit në zgjedhjet e kaluara, Baraliu shton se koalicionet e tilla nuk duhet të përjashtohen as në këto zgjedhje, madje siç thekson ai ka shumë indikacione që të ndodhin./ZERI

Të rekomanduara