
Zgjedhjet parlamentare ndër vite në Kosovë
Historia e zgjedhjeve në Kosovën e pasluftës, fillon më 28 tetor të vitit 2000. Atë vit u mbajtën zgjedhjet e para për Kuvendet Komunale.
Ndërsa, një vit më pas, më 12 nëntor 2001 u mbajtën për herë të parë, zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, transmeton “ZERI.INFO”.
Deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës (2008), u organizuan edhe disa procese tjera zgjedhore.
Që prej luftës së Kosovës, vendi ka mbajtur gjashtë zgjedhje parlamentare, në vitin 2001, 2004, 2007, 2010, 2014 dhe 2017.
Në zgjedhjet e para në Kosovën e pasluftës, në vitin 2001 Lidhja Demokratike e Kosovëss doli bindshëm e para, duke fituar 45.65% të votave, apo 47 ulëse në Kuvendin e Kosovës. E rivali i saj kryesor, PDK-ja e Hashim Thaçit doli e dyta me 25.70% të votave.
Edhe në zgjedhjet e vitit 2004, LDK vazhdoi hegjemoninë e saj, duke shkelur sërish kundërshtarët e saj politikë, dhe duke fituar hiq më pak se 45.42% të votave.
Në vitin 2006, LDK-ja mbeti pa liderin e saj historik Ibrahim Rugova, dhe në po atë vit u nda në dy pjesë, pasi që në Kuvendin e saj zgjedhor, delegatët e LDK-së përdorën karriget si mjet për t’i qëruar hesapet në mes veti.
E pikërisht këtë moment e shfrytëzoi Partia Demokratike e Kosovës, e cila fitoi për herë të parë zgjedhjet e përgjithshme, e Hashim Thaçi u bë kryeministër, e që prej atëherë nuk e ka lëshuar këtë post. Ka qenë kjo parti që gjatë pushtetit të tyre, Kosova ka kaluar nëpër shumë procese shtet-formuese, transmeton më tutje “ZERI.INFO”.
Po në këto vite të demokracisë kosovare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pasur uljet dhe ngritjet e saj. Në tri zgjedhjet e para, partia e Ramush Haradinajt doli e treta dhe në vitin 2004 hyri në Qeveri me LDK-në dhe morri postin e kryeministrit. E në zgjedhjet e vitit 2010, kjo parti u rëndit si fuqia e katërt në Parlamentin e Kosovës.
Vetëvendosje mori pjesë në vitin 2010 për herë të parë në zgjedhje dhe fitoi 12 % të votave, duke u bërë kështu fuqia e tretë në Kuvendin e Kosovës.
Në zgjedhjet e 8 qershorit, për herë të parë ka garuar edhe Nisma për Kosovën së bashku me AKR-në e Behgjet Pacollit.
Gjashtë muaj pas zgjedhjeve të vitit 2014 parlamenti i Kosovës votoi kabinetin e ri qeveritar me kryeministrin e ri Isa Mustafa nga LDK. Emërimi i Mustafës në krye të Qeverisë ndodhi pas koalicionit të arrirë që ky subjekt politikë bëri me Partinë Demokratike të Kosovës.
Ndërsa në më 11 qershor të vitit 2017 udhëheqjen e Qeverisë e mori lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ndonëse Vetëvendosje dhe LDK dolën fituese nga votat e qytetarëve.
Emërimi i Haradinajt erdhi pas koalicionit mes AAK-së, PDK-së, NISMA për Kosovës dhe AKR-së që ndryshe u quajt edhe koalicioni PAN.
Këtë vit, pas dorëheqjen së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, për shkak të ftesës që mori nga Gjykata Speciale, presidenti Hashim Thaçi shpalli zgjedhje të parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen më 6 tetor të këtij viti. /ZERI































