Zgjedhjet e 6 tetorit matin fuqinë reale të partive
FOTO: Zëri

Zgjedhjet e 6 tetorit matin fuqinë reale të partive

Zgjedhjet 2019 September 02, 2019 - 07:45
Lajmet nga vendi
Image

Tri partitë më të mëdha, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, kanë vendosur t’i futen garës në zgjedhjet e 6 tetorit veç e veç. Vlerësohet se këto zgjedhje do t’i matin forcat reale të partive, mirëpo edhe do të kontribuojnë në rritjen e pazareve të tyre pas zgjedhjeve, shkruan sot gazeta "Zëri".

Partitë me numër më të madh të deputetëve në legjislaturën e kaluar, PDK-ja, LDK-ja e LVV-ja, kanë vendosur që në garën e zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit t’i matin forcat e tyre si të vetme. Ndonëse LDK-ja e LVV-ja kishin krijuar simpati për njëra-tjetrën gjatë kohës sa ishin në opozitë, një bashkëpunim parazgjedhor në mes tyre nuk ndodhi pas mosdarkodimeve të të dyja subjekteve lidhur me pozitën e kryeministrit.

LEXO EDHE: Bahtiri: Fitorja e çdo partie përveç VV-së do të thotë vazhdim i kapjes së shtetit në të gjitha segmentet e tij

Mirëpo ndryshe nga to, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partia Socialdemokrate (PSD) lidhën koalicionin e parë parazgjedhor, duke lënë kështu pas inatet që kishin me njëra-tjetrën ndër vite. Menjëherë pas tyre u bashkuan edhe Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Nisma Socialdemokrate, krerët e të cilave theksuan se janë bashkuar për të krijuar boshtin e fitores së zgjedhjeve të 6 tetorit. Përfaqësuesit e tri partive, LDK-së, LVV-së dhe PDK-së, shprehen të bindur se vendimi për të hyrë të vetme në zgjedhje do t’u sjellë atyre më shumë vota nga qytetarët e për pasojë edhe do të dalin fitues nga këto zgjedhje.

Në anën tjetër njohësit e çështjeve politike e shohin si pozitiv faktin se partitë do të maten të vetme, mirëpo ekziston rreziku që kjo gjë të kontribuojë në rritjen e pazareve të partive pas zgjedhjeve.

PDK-ja e bindur se e vetme do t’i fitojë zgjedhjet, nuk i përjashton as koalicionet

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, në një prononcim për “Zërin” është shprehur i bindur se partia e tij do të dalë fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, pavarësisht se do të shkojë e vetme në zgjedhje.

“Mendoj se shkuarja e PDK-së e vetme në zgjedhje do të jetë shumë pozitive për ne. PDK-ja do të dalë e para në zgjedhje dhe do të ketë mundësinë ta formojë qeverinë. Ne e kemi marrë këtë parasysh, duke pasur atë se partia është shumë e organizuar dhe besoj që do të dalim fitues nga këto zgjedhje”, ka thënë Haliti.

Mirëpo ai nuk e ka përjashtuar as mundësinë e lidhjes së koalicioneve paszgjedhore me partitë tjera, në rast se nuk i fitojnë 51 ulëse në Kuvend.

“Koalicionet, duke i pasur parasysh rrethanat në Kosovë janë të domosdoshme pas zgjedhjeve dhe ne do të shohim se me kë do të shkojmë në koalicion, sepse nëse nuk i kemi 50 +1 që të mundë ta formojmë të vetme qeverinë, atëherë patjetër duhet të kërkojmë partner koalicioni. Kjo varet se me kë do të bisedojmë dhe kush është më i gatshëm t’i bashkohet PDK-së”, ka shtuar tutje ai.

LVV-ja thotë se me LDK-në do ta formojë qeverinë, Kurti kryeministër i Kosovës

Në anën tjetër pavarësisht dështimit të një koalicioni parazgjedhor në mes dy partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, këto dy parti vazhdojnë ta lënë të hapur mundësinë për një bashkëpunim paszgjedhor, mirëpo pa lëshuar asnjëra pe nga pozita e kryeministrit.

Ish-deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, në një deklaratë për “Zërin” e ka lënë hapur mundësinë që të ketë një bashkëpunim paszgjedhor me LDK-në.

“Pas rezultateve të zgjedhjeve do t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë dhe besoj se partneri më i mirë përsëri do të ishte LDK-ja, por kjo varet nga votat që do të marrin partitë politike të tjera. Ne nuk bashkëpunojmë me PDK-në dhe me subjektet që kanë qenë në qeverisje në mandatin e fundit”, ka thënë Nagavci.

Pavarësisht situatës së krijuar me LDK-në, Nagavci është shprehur e bindur se partia me më së shumti vota do të dalë Lëvizja Vetëvendosje.

“Mendoj se tash është krijuar një situatë e re, por është pozitive për faktin se do të ketë një matje të vërtetë të të gjitha subjekteve politike veç e veç. Besoj se është më mirë që do të jemi veç e veç dhe qytetarët do të dinë saktësisht se kujt t’ia japin besimin dhe ne jemi të sigurt që jemi subjekti i cili do të marrë më së shumti deputetë, por edhe kandidati për kryeministër, z. Kurti edhe kësaj radhe do të jetë bindshëm në përparësi me të gjithë kandidatët tjerë”, ka shtuar ajo.

anën tjetër, ndryshe ka deklaruar ish-deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besa Gaxherri, e cila beson se Vjosa Osmani do të bëhet kryeministre e Kosovës, për shkak se janë mobilizuar të gjitha gjeneratat që ta mbështesin atë. Ajo ka thënë se tani është momenti kur do të ndryshojë epoka për Kosovën.

Koalicionet paszgjedhore rrisin pazaret e partive

Kurse njohësi i çështjeve politike Mazllum Baraliu për “Zërin” ka thënë që koalicionet parazgjedhore do të mundë të vënë si parësore interesin e qytetarëve. Mirëpo, sipas tij, e njëjta nuk do të ndodhë pas zgjedhjeve, kur partitë politike rrisin pazarin për pozita partiake e individuale.

Sipas Baraliut, në rast se do të arrihej koalicioni parazgjedhor mes LDK-së dhe LVV-së do të krijonte një fitore masive të të dyja partive, mirëpo tani mbetet të shihet fuqia reale e partive të mëdha politike pas zgjedhjeve.

“Do të ishte mirë që në koalicionet parazgjedhore të inkorporonin edhe disa nga partitë e mëdha. Ishte më se i mirëseardhur bashkëpunimi LDK - LVV, do të krijonte një fuqi dukshëm masive sesa ato të shkojnë të vetme në zgjedhje, por kjo nuk ndodhi. Tani duhet pritur që procesi të kalojë mirë dhe pastaj koalicionet paszgjedhore do të përcaktojnë rezultatin e tri partive të mëdha, LDK-së, LVV-së dhe PDK-së”, ka thënë ai.

Ndërsa se kush do të dalë fituese varet nga shumë aspekte, fillimisht nga numri i votave të qytetarëve pastaj edhe nga partitë politike se si do të sillen gjatë procesit zgjedhor.

Vijat e kuqe të partive

Shumica e partive politike kanë vendosur vija të kuqe për disa nga partitë politike. Partitë opozitare kanë deklaruar tashmë disa herë se Partia Demokratike e Kosovës nuk do të jetë partner koalicioni me ta në asnjë rast. Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni AAK - PSD e kanë mohuar kategorikisht mundësinë e formimit të qeverisë me PDK-në. Ndryshe nga këto subjekte politike, koalicioni Nisma – AKR – PD nuk përjashton mundësinë e koalicionit me asnjë parti, madje as me PDK-në.

Përpos PDK-së, Lëvizja Vetëvendosje ka vënë vija të kuqe ndaj ish-bashkëpartiakëve të tyre, Partisë Socialdemokrate. Ata janë shprehur se nuk kanë vullnet politik për të bashkëpunuar me ish-kolegët e tyre. Pas zgjedhjeve një bashkëpunim i mundshëm mund të pritet mes LDK-së dhe LVV-së, por nuk është përjashtuar as mundësia e bashkëpunimit LDK – AAK - PSD.

Megjithëse Partia Demokratike e Kosovës u bojkotua pothuajse nga të gjitha subjektet politike për koalicion parazgjedhor, ata janë shprehur se e kanë derën e hapur për bashkëpunim me secilën parti pas zgjedhjeve.
 

Të rekomanduara