Zërat
Milaim Shefkiu
Milaim
Shefkiu

Vërini pikë demarkacionit!

Zërat korrik 14, 2016 - 13:15

Demarkacioni apo ndarja e mexheve me Malin e Zi ka një vit që është temë e pashmangshme debati. Në secilin vend ku shkon, nga odat e zakonshme, nëpër ndeja e ahengje e deri te Kuvendi e Qeveria diskutohet kryesisht kjo temë. Për shumëkënd është bërë një lloj zhuge (zgjebe), të çelë varrë pjesët e trupit duke u kruar e s’arrin ta gjesh ilaçin.

Nga 26 gushti i vitit të kaluar, kur u hodh nënshkrimi për këtë marrëveshje në Vjenë, Kosovës nuk i është hequr gazepi.

Filluan protestat e opozitës, gazi lotsjellës, arrestimi i deputetëve e madje u desh të vijnë në Kosovë një alamet diplomatësh për ta qetësuar situatën. E gjithë kjo shkoi huq dhe asnjëra palë nuk po lëshon pe, as koalicioni qeverisës, i cili po garanton se Kosova nuk e ka humbur asnjë milimetër tokë e as opozita, e cila po këmbëngul se Kosovës me këtë marrëveshje i janë rruar 8 mijë hektarë tokë.

Madje, dje për herë të parë Qeveria e Kosovës në portalin e saj plasoi një varg dokumentesh e faktesh që dëshmojnë, sipas tyre, se Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, e nënshkruar në Vjenë, më 26 gusht 2015, është përcaktuar mbi fakte, dokumente, harta e marrëveshje vendore e ndërkombëtare, ndërsa baza është në Kushtetutën e vitit 1974.

Këto harta e dokumente kadastrale, komunale e administrative Qeveria i plason në internet vetëm pasi u bë “ashër-neshër” politika kosovare. Atëherë kur opozita ka hyrë në vallen që nuk tërhiqet mbrapa dhe kur në skenë kanë dalë dy grupacionet si dikur në “Komunën e Parisit”- tradhtarët dhe patriotët, faktet historike e topografike kanë më pak vlerë.

Por, edhe pas këtyre fakteve që ka nxjerrë Qeveria, prapë ratifikimi në Kuvend, që është kusht për liberalizim vizash, nuk është i sigurt.

Pavarësisht asaj që tha zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi se brenda koalicionit nuk ka krizë politike dhe Demarkacioni me Malin e Zi do të kalojë, kjo mbetet pikëpyetja më madhe e mazhorancës. Brenda koalicionit tashmë janë shtuar zërat se “marrëveshja ka bishtin mbrapa”, që tregon se polarizimet janë tepër të theksuara brenda koalicionit PDK-LDK.

Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Rori O.Conell, tha se duhet t’u qartësohet qytetarëve se çka ka ndodhur në kufij, ka humbur tokë, nuk ka humbur apo vija kufitare është në rregull dhe duhet ecur para. Të pakët Kosova nuk e meriton një llomotitje koti pa ballafaqim argumentesh.

Gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës deputeti i mazhorancës, Shpejtim Bulliqi, kërkoi mejdan me zyrtarët që kanë bërë demarkacionin për t’i ballafaquar faktet.

Bulliqi po këmbëngul se demarkacioni është bërë keq dhe ai ka fakte. Tani nëse Qeveria dhe Komisioni Qeveritar, që ka drejtuar Murat Meha me shokët: Sylë Ukshini, Besim Kajtazi, Shaban Guda, Tefik Basha, beson se ka bërë punën mirë dhe ekipi është i pastër si “uji për abdes” pse nuk dalin të ballafaqohen me grupin e ashtuquajtur “rebel”, Bulliqi, Gruda, Isufi...etj. Dhe duke ua mbushur mendjen atyre, ua mbushin mendjen edhe qytetarëve se demarkacioni paska qenë Ok, ndërsa kauza e opozitës e rreme. Pas kësaj të ecet menjëherë me ratifikimin e Demarkacionit në Kuvend dhe më vonë me marrjen e vizave.

Por, derisa nuk ka ballafaqim argumentesh dhe derisa Komisioni nuk guxon të dalë në mejdan me ekspertët, lë hapësirë për të dëshiruar. E ky vakum trimëron më shumë opozitën, e cila ka harrur së në Kosovë ka edhe dhjetëra çështje dhe kauza që duhet ndërtuar. Druaj se ajo është preokupuar vetëm me këtë kauzë, duke e shndërruar në marionetë për realizimin e qëllimit të saj. Nëse kështu vazhdon, asaj s’i bëhet vonë sërish gazi lotsjellës dhe protesta në rrugë.

Për të mos u përsëritur skenat e para disa muajve, ndoshta është momenti i fundit që Qeveria të reflektojë. Të paktën ta dërgojë marrëveshjen për ratifikim në Kuvend dhe nëse kjo kalon, atëherë Murat Meha dhe shokët e tij bashkë me koalicionin qeverisës e bartin medaljen e triumfit ose të tradhtisë.
Ky Komision e di më mirë se kushdo tjetër se nëse kanë gabuar “në hapa”, atëherë krahasohen me komisionin e Qeverisë Zogu, e cila në vitet ’20-ta ua fali jugosllavëve Shën Naumin dhe Velipojën e Vermoshit. E që nga atëherë ai komision dhe ajo qeveri e ka epitetin e të dështuarit në histori. Në këtë tren, shumë kollaj mund të hipin edhe ata që udhëhoqën ose ishin brenda revolucionit e që janë nga kjo zonë, Xhavit Haliti, Adem Grabovci... 

E nëse marrëveshja nuk ratifikohet, i mbetet Kadri Veselit si kryetar i PDK-së dhe Isa Mustafa, nga LDK-ja, t’i shpallin zgjedhjet e reja. Ndryshe, kësaj teme duhet t’i vihet pika. Nuk mund të zgjatet deri në pafundësi.