Zërat

Asimilimi i tjetrit në politikë

Zërat May 27, 2016 - 12:55

Ka raste kur kandidatë që vijnë nga grupe sociale cilësore minoritare, arrijnë të fitojnë zgjedhje të rëndësishme, duke u bërë kryebashkiakë dhe deri kryetarë qeverish. Kjo gjë, në shumë raste, sjell thjesht asimilim të identitetit të grupit nga ai vjen, thotë Kotorri. 

Që prej kohës së demokracisë së qytet-shteteve greke, e deri më sot, koncepti i përfaqësimit politik ka ndryshuar, por jo edhe aq tjetërsisht. Fushatat zgjedhore janë bërë gjithnjë e më të sofistikuara. Stafi i një kandidati serioz në botën e sotme perëndimore përbëhet prej disa konsulentësh, që sikurse thotë edhe Roger Scruton, askujt nuk i duheshin deri sa e shpikën vetë zanatin e tyre. Kështu pra, në staf ka konsulentë për marrëdhëniet me publikun, konsulentë për marrëdhëniet me mediat, konsulentë për gjuhën e trupit, konsulentë për veshjen dhe pamjen, konsulentë për formulimin e fjalimeve, konsulentë për formulimin e mesazheve, sloganeve etj. Kërkues për të gjetur gabime të mundshme në të kaluarën e kundërshtarit për t’i sulmuar ata, dhe për të gjetur gabime në të kaluarën e kandidatit të tyre, për të qenë të përgatitur se si do të mbulohen ato. Ka drejtues fushate, drejtues stafi, koordinatorë për militantët, koordinatorë për skenën, duartrokitjet dhe të qeshurën e publikut. Ka një trupë të tërë televizive, përveç reporterëve të mediave të tjera, e kështu e me radhë. Kemi përmendur në këtë paragraf hyrës, një pjesë të vogël të stafit që merret vetëm me aspektin formal të një fushate zgjedhore, pasi lista vazhdon.

Në çdo kohë, aspekti formal i një fushate ka pasur rëndësinë e vet, mirëpo kurrë si sot, ky aspekt nuk ka zënë 90% të vëllimit të një fushate. Sigurisht që sikurse thotë edhe Em Griffin, kjo dhunë vizive vjen jo vetëm për shkak të egërsisë së garës, por sidomos pasi masmedia i ka riformësuar mënyrat tona të vlerësimit të një kandidati. Në zgjedhjet presidenciale të 1960-s në SHBA, u eksperimentua për herë të parë një debat televiziv midis kandidatëve. Në teoritë e komunikimit, ky debat shpesh merret si rast studimor për shkak të reagimit të audiencës. Ata që e ndoqën debatin në radio, pasi u anketuan, vlerësuan se debatin e fitoi Nixoni (kjo mund të shpjegohet për shkak se Nixoni u përqendrua shumë tek aspekti ideologjik i çështjeve dhe argumentimi i tyre i thjeshtë e logjik), ndërsa ata që e ndoqën debatin vizivisht prej ekranit, vendosën se debatin e kishte fituar Kennedy. Në rrëfimet e mëpastajme të anëtarëve të stafit të secilit kandidat, tregohet se kur të dy kandidatët kishin hyrë në skenë përpara se të niste transmetimi, grimieri i kishte pyetur se kush do të vendoste pudër i pari, Kennedy u përgjigj shumë shpejt i pari me një “Jo!” të vendosur, dhe Nixon-i që nuk mund ta tradhtonte konservatorizmin e vet, e ndoqi gjithashtu me një “As Unë!” (për më tepër mund të konsultoni “The race for the White House S01E01”. Megjithatë, menjëherë pas këtyre përgjigjeve, Kennedy nxitoi të bënte një makijazh të mirë të gjithë fytyrës dhe në ekran u duk shumë më i ri, më energjik dhe më i pashëm sesa një Nixon i rrudhur e i djersitur. Kështu, Kennedy fitoi debatin, dhe me disa komponentë të tjerë imazhëror, edhe zgjedhjet.

Barack Obama (1961), u cilësua prej të gjithë analistëve si një personazh më shumë sesa një politikan. Përpara tij, në partinë demokratike Mike Dukakis kishte qenë një kandidat bir emigrantësh. Mirëpo në zgjedhjet e 2008-ës, Obama nuk u paraqit si një kandidat klasik, pasi veçantia e tij ishte dhe pika e tij më e fortë. Ai mori flamurin si njeriu i parë me ngjyrë që kandidonte për Shtëpinë e Bardhë në këto nivele, si mishërues i ëndrrës amerikane, si mishërues i ëndrrës së madhe të dr. Martin Luther King Jr-it. Ai ishte shpresa e cilitdo amerikan që shpresonte për një shans përtej diskriminimit. Obama u paketua dhe u shit si simboli se bota po ndryshonte, dhe se zgjedhja e tij në vetvete do ta ndryshonte botën. Ai e tregoi historinë e jetës së tij me një paragraf si alegori për historinë e përpjekjes amerikane. Obama u konsiderua si sukses për atë që ishte dhe jo për atë që mund të bënte me një platformë qeverisëse. Obama u prit si superstar në turin e tij në Europë, ndërkohë që fushata ishte ende në proces në 2008-n. Ai madje mori një Çmim Nobel për Paqen në 2009-n, pa bërë asgjë tjetër përveçse të shiste veten jo si një kandidat, por si një momentum historik.

Nga dëshmitë e miqve dhe kolegëve të tij, e sidomos të atyre që ashtu si ai zezakë, përpiqeshin për një jetë më të mirë, thuhet qartësisht se ai, ishte një zezak jo-zezak. Ai ishte një njëri me ngjyrë që ishte rritur prej gjyshërve. Ai nuk kishte pasur kurrë miq të ngushtë me ngjyrë, por bëhej qendra e vëmendjes në çdo shkollë apo komunitet ku shkonte, për shkak të harmonizimit të tij me njerëz të racave e kulturave të ndryshme. Sikurse vetëm pak zezakë në historinë e Amerikës, Obama kishte përftuar një arsimim elitar Ivy League në Columbia dhe Harvard. Prej njerëzve që e gjykonin në sipërfaqe, ai ishte një zezak me vullnet për të punuar, prej zezakëve ai konsiderohej si një i bardhë i mirarsimuar me lëkurë të zezë. Praktikisht, ai kishte lindur zezak gjenetikisht, por identiteti i tij social nuk përputhej me atë të zezakëve të tjerë të getove të verilindjes apo të qyteteve raciste të juglindjes. Ai ishte një outsider (i jashtësuar). Obama në histori do të mbahet mend si i pari president zezak i SHBA-së.

Më herët në histori, Benjamin Disraeli (1804–1881) ishte zgjedhur i pari çifut, kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar. Ashtu sikurse Obama, edhe ai ishte një i huaj për identitetin e tij gjenetik. Çifutët e shekullit të tetëmbëdhjetë, dhe të nëntëmbëdhjetë njiheshin si fajdexhinjtë më të mëdhenj të Britanisë, por edhe të Europës mbarë. Kjo, pasi që kur çifutët e parë kishin ardhur në ishull rreth shekullit të dymbëdhjetë, ishin marrë kryesisht me këtë zanat të cilin Tora, teksti i tyre i shenjtë, ua bën për obligim. Ndaj, në frymë të përgjithshme, britanikët i konsideronin çifutët si një domosdoshmëri e keqe ose si një e keqe e domosdoshme (Arendt, 1951). Isak d’Israeli, i ati i kryeministrit të ardhshëm, e pagëzoi të birin e vet në besimin katolik në Kishën e Anglisë. Kështu, Benjamini, u bë në sytë e kishës “njëri prej tyre”. Një kusht ky, që cilido kryeministër duhet ta përmbushte për shkak të betimit në detyrës që mban edhe fjalët “mbi besimin e vërtetë të një të krishteri”. Duke qenë se gjatë gjithë karrierës së tij, ai shihej me dyshim si një i dyzuar mes hebraizmit dhe krishtërimit, ai e identifikoi veten si “Faqja e pashkruar mes Dhiatës së Vjetër dhe të Resë”.

Ndryshe prej cilitdo çifuti tjetër, Disraeli vishej dhe makiazhohej për të rënë në sy sidomos te femrat. Ai shkroi novela romantike dhe mori famë prej kësaj. Kur ai e takoi për herë të parë mbretëreshën Viktoria, thuhet se ata gjetën te njëri-tjetri mundësinë për t’u bashkidentifikuar si njerëz që askush nuk i kuptonte. Tregohet prej të afërmve të tyre të kohës, se Disraeli ishte i vetmi politikan që lejohej të ulej në prezencë të mbretëreshës, pasi të tjerët duhet të qëndronin në këmbë. Gjatë kohës së tij në detyrë, ata shkëmbyen rreth 1600 letra. Në funeralin e tij, vetë mbretëresha dërgoi një kurorë me lule Primula Vulgaris, me mbishkrimin “Lulet e tij të preferuara”. Ai nuk ishte si kryeministrat e tjerë, nuk kishte formim juridik, nuk kishte gjak aristokrat, kishte një reputacion të lëkundur dhe gjithë jetën kishte qenë në borxhe. Disraeli mbetet deri më sot i pari dhe i vetmi kryeministër çifut i Mbretërisë së Bashkuar.

Sadiq Khan (1970), u lind në Londër në një familje pakistaneze myslimane. I ati ishte shofer autobusi dhe e ëma, rrobaqepëse. Ai u rrit në një apartament të vogël që shteti u jep të pastrehëve, në një familje me tetë fëmijë. Studioi ligj në University of North London. Prej vitit 1997 kur ai kreu praktikën mësimore si jurist e deri më 2005-n, karriera e tij u rrit me eksponent. Në vitin 2003, Partia Laburiste i shpalli të hapura zgjedhjet brenda partisë edhe për jo-anëtarët. Sadiq Khan fitoi votat për nominim dhe më pas në 2005-n u zgjodh në parlament. Që në vitin e parë, ai u dallua jo vetëm si folësi i ri më i mirë i parlamentit, (për të cilin mori edhe një çmim), por edhe si një prej argumentuesve më të fortë e të qartë sidomos për të kundërargumentuar spekulimet, lidhur me terrorizmin islamik. Ai e rifitoi postin e tij në parlament edhe në zgjedhjet e 2010-s dhe ato të 2015-s. Në qeverinë e Gordon Brown-it, Khan mbajti postin e ministrit të Komuniteteve, më pas ministër për Transportin. Në muajin maj të këtij viti, Sadik Khan u bë i pari Kryebashkiak mysliman i një kryeqyteti perëndimor, Londrës, në histori, duke marrë numrin më të madh të ndonjëhershëm të votave, 1.3 milionë. Kryetar sot, i metropolit të dikurshëm, kolonizues të prejardhjes së tij. Sidoqoftë, zgjedhjet e 2016-s shfaqën edhe një herë elementet e mospranimit të “të huajit”. Shembull për këtë është edhe termi “Londonistan” i hedhur në treg për të përshkruar një të ardhme të errët për Londrën, sikurse dikur u hodh termi “Jew York” për çifutët e pushtetshëm të New Yorkut. Sidoqoftë, Sadiq Khan është sot në detyrë dhe po merret me administrimin e përditshëm të Londrës.

Shembujt e mësipërm të pranëvendosur qëllimisht, të sjellin në vëmendje korrelacionet e dukshme midis tri historive të suksesit. Duket, se zgjedhësit e këtyre figurave, më shumë sesa zgjedhin përfaqësuesin e tyre, zgjedhin figurën, me anë të së cilës do të japin mesazhin e gjithëpërfshirjes. Pra thellë – thellë, këta individë nuk kanë qenë pasqyra ku zgjedhësit e tyre shohin veten, por më shumë, kanë qenë figura ku populli kërkon të tregojë se si do donte të dukej në sytë e të tjerëve. Pra, populli që kuron imazhin e vet publik. Në të tria këto raste, nëse hetohet mjaftueshëm, do të shihet një tendencë e brendshme e popullit zgjedhës, i cili kërkon të tregojë se sa gjithëpërfshirës është. Mbi të gjitha, këta zgjedhës kërkojnë të ngrenë në piedestal fitoren e kulturës së tyre, ndaj kulturave të huaja që rrezikojnë ta zhbëjnë të tyren. Kësisoj, si tek Obama, te Disraeli apo te Khan, identitetet e tyre antropolitike, duket se shërbejnë si një shembull për të thënë: “Është e vërtetë se secili prej tyre ka lindur në një kulturë të vetën, por kultura e vendit ku ai u zgjodh, mbizotëroi mbi kulturën origjinale dhe e konvertoi atë “dikur-të-huaj” në një “vendës”. Thënë shkurt, zgjedhja e të tilla figurave është një simbol i vazhduar i imperializmit të fshehur të botës perëndimore. Këto figura janë si një përjashtim që forcon rregullin./mapo.al

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK