Zërat
Jon Leka
Jon
Leka

Kosova – vilajeti islamik i Erdoganit?

Zërat April 24, 2016 - 09:37

Erdhi Kurtumulus dhe tha hapur: Kosova është satelit i Erdoganit rrugës për rikthimin e lavdisë osmane në Ballkan. Edhe më shumë: Kosova është shteti islamik më i rëndësishmi dhe më madhështori në Evropë. Këto ai i tha në prani të presidentit dhe kryekuvendarit, gjë që denoncon: Kosova edhe zyrtarisht është siç tha Kurtumulus.

Dje shumica e agjencive perëndimore të lajmeve informuan rreth vizitës së zv/kryeministrit turk Numan Kurtumulus në Kosovë. Në fakt e si zakonisht; vizitat e subprimatëve të këtillë as që regjistrohen. Ky i radhës mirëpo u plasua me përpikëri dhe gjithandej, jo për shkak të rëndësisë së funksionarit erdoganesk e të papeshë, por për shkak të deklaratave që i apostrofuari i bëri gjatë një feste po aq «interesante» sa edhe vetë deklaratat vetëdenoncuese të tij. Kurtumulus shpaloi kristaltë se si e trajton Turqia Kosovën dhe sa thellë vendi i tij ka depërtuar në dirigjimin politik, kulturor e ekonomik të vendeve shqiptare. Informata këto, të ditura e publikuara moti, por jo të pranuara zyrtarisht si të tilla nga qeveria dhe partitë politike shqiptare.

VIZITA DHE DEKLARATAT:

Kurtumulus morri pjesë në festën: «23 Nisan», e cila zhvillohet në favor të «sovranitetit nacional të turqve të Kosovës»?! Cilit sovranitet? Mediat e huaja e interpretuan Kosovën si principatë neo-osmane, satelite turke, për shkak se banorët e saj mbi 90% janë të atij identiteti kombëtar. Me të drejtë. Ndryshe as që mund të sqarohet «sovraniteti nacional» në terminologjinë politike.

Gjatë vizitës së tij, në prani të Kadri Veselit, kryetarit të Kuvendit të Kosovës emisari nga Ankara tha edhe këto:

1.       «Njohja e Kosovës do ta forcojë botën islamike» - tha ai në prani të Thaçit dhe Veselit.

2.       «Ne konsiderojmë Kosovën si një vend me të cilin Turqia është e lidhur emocionalisht».

3.       «Kosova është një vend europian me një kulturë madhështore islame. Prandaj është vendi më i rëndësishëm islam në Evropë».

4.       «Ne shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat që kemi për zhvillimin e Kosovës, për ringjalljen e trashëgimisë osmane me qëllim për të kontribuar në forcimin e vlerave tona të përbashkëta kulturore»

ANALIZA:

1.       Pse Kosova do të forcojë botën islamike, kur «de facto» e «de jure» është shtet laik pa sheriatin si kushtetutë dhe e proklamuar si «Republikë qytetare»? Kështu thuhet pa u demantuar aty për aty nga primatët prezentë të Kosovës, me siguri e bindje, vetëm atëherë kur ekziston një strategji prapaskenore e ardhme, e cila përdor gjendjen aktuale vetëm si transicion për diku tjetër. Konkretisht: Turqia del sikur të ketë marrëveshje me primatët relevantë të Kosovës që demokracinë dhe sistemin aktual ta keqpërdor vetëm si urë drejt realizimit të një republike islamike të kontrolluar nga Turqia. Ndryshe si heshtet ky konstatim?

2.       Qëndron se Kosova është e lidhur emocionalisht me Turqinë si trashëgimtare e Perandorisë Osmane. Po si? Si ish e pushtuar dhe terrorizuar 5 shekuj me radhë apo si mbetje e asaj perandorie nën zgjedha e robëri tjera e të cilën më në fund e shpëtoi perëndimi? Nga mosreagimi i qeverisë kosovare krijohet përshtypja se edhe zyrtarisht pranohet versioni turk: Kosova si mbetje osmane!

3.       Kosova me kulturë madhështore islame? Në cilin aspekt të kulturës: Arte, etnografi, letërsi, politikë, socialitet…? Religjioni është vetëm një segment i një kulture identitetbërëse. Pse ky reduktim, duke shpallur njërën nga fétë e shqiptarëve si prima causa e ekzistencës së identitetit shqiptar? Kështu sepse vetëm nëpërmjet islamit, fésë Turqia e ka të mundur kapjen e shoqërive shqiptare dhe me asgjë tjetër relevante! Pra Erdogani përdor islamin për të shtrirë dominimin në Ballkan për qëllime politike.

5.       Deklarata e katërt e Numan Kurtumulus-it është më «fenomenalja» deri tani. Ajo shpalon, konfirmon një të vërtetë që erdoganistët shqiptarë lart e poshtë etnisë shqiptare e mohonin deri tash dhëmbëkërcënueshëm. Edhe njëherë deklarata, citat: «Ne shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat që kemi për zhvillimin e Kosovës, për ringjalljen e trashëgimisë osmane me qëllim për të kontribuar në forcimin e vlerave tona të përbashkëta kulturore». Cilat janë ato mekanizma që veprojnë thellë në trevat shqiptare për të ringjallur kulturën osmane: Qeveria e Kosovës? BIK? Shoqatat «Besa» e tjera opozitare në Maqedoni? Komuniteti Islam në Shqipëri? Qeveria naive e Edi Ramës? Organizatat e shumta që favorizuan pjesëmarrjen në ISIS? Shërbimet turke të inteligjencës? Bankat fantome (si ajo pranë Hotel Prishtinës) që fshehin pasuritë e primatëve shqiptarë? Cilat? Të gjitha ndoshta?

Nënpyetjet mund të jenë spekulative, por jo edhe fakti: Turqia përdor të gjitha mekanizmat në disponim për të zhvilluar kulturën neosmane, respektivisht erdoganeske në vendet shqiptare!

KONSTATIMI

Natyrisht se primatët e Kosovës dhe këta të organizatave të ndryshme do të mbrohen me fyerje, sharje dhe «teorinë, të na kap paniku» sa herë vijnë emisarët e atij tiranit anadollak që dënoi me burg të përjeshtëm gjithë ushtrinë  e vendit të tij me inskenime për «puç»; atij që thotë «mirë e kanë fëmijët që vriten, pse dalin në protestë»; atij që ka arrestuar mbi 200 gazetarë, shkrimtarë dhe intelektualë ngase e kritikojnë dhe kërkon që edhe vendet tjera të dënojnë në atë mënyrë; atij që mendon se epoka e sulltanëve duhet të riinstalohet në Turqi dhe Ballkan; atij që bashkë me Putinin janë sponsorët më të ndyrë të ISIS-it dhe organizatave tjera terroriste; atij…

Ajo, mirëpo çka shqiptarit parasëgjithash i intereson është: kush u zgjodhi t’i shërbeni neosmanizmit islamik turk të Erdoganit në Kosovë? Kush janë mekanizmat vepruese për rikthimin e osmanizmit erdoganesk në Kosovë- i dimi bëni transparente? Kurë do të thoni publikisht se jo demokracia pluraliste është rruga juaj politike por ajo e Erdoganit, sheriatit?

Bëhuni burra njëherë dhe kallëzoni të vërtetën dhe largohuni, se nuk besojmë se këtë Kosovë tuajën e donë dikush!

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK