Rend dhe kaos në shekullin XXI
Marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ekuilibrat gjeopolitikë në themel të tyre përbëhen nga faza ciklike, ku protagonistët strukturojnë veprimtarinë e tyre sipas kushteve historike dhe qëllimeve strategjike.
Rendi ndërkombëtar nuk bazohet vetëm mbi ide dhe institucione. Ai është formuar nga konfiguracionet e ndryshme të pushtetit dhe vullnetit shtetëror. Rendi ndërkombëtar i pas Luftës së Ftohtë pasqyron simbolikat e fuqive fituese nën rrjedhojat e historisë, universalizimin e parimeve demokratike dhe orientimin e një bote të re drejt progresit.
Shekulli XXI konsiderohet shekulli i ndryshimeve të mëdha teknologjike, ekonomike dhe politike ku pesha e secilit aktor dhe standardi gjeopolitik përcaktohet nga partneriteti dhe aftësia prodhuese, duke na paraqitur pa diskutim një botë shumëpolare.
Por në të tjera nuanca racionale mund të evidentojmë se krijimi i një sistemi multilateral (shumësia e aktorëve ndërkombëtarë në sistem) gjithnjë dhe më tepër i ka bërë diverse qëndrimet dhe qëllimet e aktorëve kryesorë.
Dhe kjo derivon para së gjithash nga tradicionalizmi politik, tendencat historike, tiparet nacionale dhe kushtet e reja ekonomike që posedon secila fuqi në sistem. Por drejtë çfarë sistemi ndërkombëtar po shkojmë?!Kjo është një pyetje përcaktuese dhe meriton para së gjithash një përgjigje argumentuese.
Në kufijtë e një bote të shtyrë tej si rrjedhojë e konkurrencës dhe aftësisë për predominim ″koncerti global″ i demokracive gjithnjë dhe më shumë konsiderohet një ëndërr e postmodernes sesa një realitet gjeopolitik i mundshëm. Ajo çka e bën këtë realitet gjeopolitik të vështirë dhe rrezikshëm është se, përmes globalizmit shtetet po i prioritizojnë interesat e tyre në bazë të lidhjeve të vjetra afinitive duke u polarizuar gjithnjë dhe më tepër.
Dhe pikërisht ky polarizim ka shkaktuar rritje të nacionalizmave shtetërore, lulëzim të ekstremizmit dhe fuqizim të dukurive negative si terrorizmi, nga periferia drejt qendrës së sistemit ndërkombëtar. Perëndimi me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian gjithnjë dhe më tepër në pikë të hallit si rrjedhojë e vetëkënaqësisë politike dhe keqinterpretim të kushteve globale po përballet me një krizë politike, ekonomike dhe strategjike.
Për të mos mjaftuar problemet politiko-ekonomike nën kurrizin evropian sot rëndojnë zgjidhje gjeopolitike dhe humanitare. Strehimi i emigrantëve sirianë dhe jo vetëm, formulat e orës së fundit me Turqinë, neglizhenca në marrjen përsipër të përgjegjësive nga ana e disa vendeve anëtare të Unionit për strehimin e emigrantëve, sulmet terroriste etj., kanë cenuar jetën dhe lirinë e qytetarit evropian.
Por një botë me shtete të pavarura, ku secili është i aftë të shkatërrojë tjetrin dhe disa prej tyre të aftë për të shkatërruar botën për nga potencialet ushtarake dhe bërthamore, ka shkaktuar një rritje të pasigurisë në radhët e liberal-pluralistëve, ky nuk është rendi ndërkombëtar që ata kishin menduar.
Konfliktet në rajonin e Lindjes së Mesme, rivaliteti i fuqive rajonale për predominim, lufta asimetrike në nivel frontal dhe global bazuar tek ekonomia, ideologjia dhe feja e ka bërë të vështirë detyrën e gjigantit amerikan në krye të lidershipit global. Një Rusi pragmatike bazuar te historia e lavdishme dhe qëndrimet ekstreme të liderëve të saj shpeshherë ka vështirësuar dialogun dhe konsensusin global.
Vizita e Sekretarit amerikan, John Kerry, në Moskë së fundmi nën petkun e një superfuqie globale dhe përfaqësuese e vlerave perëndimore, konsiderohet një lëvizje e mençur gjeopolitike dhe strategjike për intensifikimin diplomatik, zgjidhjen e konfliktit në Siri dhe luftimin e fenomenit terrorist. Instrumenti kohë do të jetë përcaktues në raporte të tilla.
Në shkallë globale përmasat e Amerikës janë të mëdha dhe shpeshherë të frikshme, amerikanët shpenzojnë për mbrojtjen si asnjë vend tjetër. Por siguria ashtu si demokracia nuk mund të imponohet.
Pikëpamjet politike, instrumentet diplomatike dhe potencialet ekonomike kanë krijuar ndasi ndërmjet aktorëve tradicionalë dhe të rinj në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe definuar kjo me fjalët e David Brooks studiuesit të mirënjohur ndërkombëtar; ky konsiderohet shekulli i fragmetarizimit″ ku problemet e brendshme politike dhe ekonomike transmetohen në mënyrë permanente dhe në aspektin ndërkombëtar.
Në përfundim mund të shtojmë se sistemi ndërkombëtar që krijoi Amerika, e zhvilloi Evropa po e trazon Rusia dhe kërcënon terrorizmi apo dukuri të tjera negative na paraqitet mjaft i brishtë, madje dhe kaotik në aspekte rajonale.
Ekuilibrat gjeopolitikë kanë ndryshuar marrëdhëniet ndëraktoriale janë bërë më dinamike dhe aleancat politiko-ekonomike më pragmatike. Në këtë pikëpamje konkurrenca ndërmjet të mëdhenjve është bërë më e ethshme dhe nevoja e të vegjëlve për qëndrueshmëri më e madhe.
Në fund të fundit kjo është dinamika e globalizmit, rend dhe kaos në shekullin XXI. (Autori është Studiues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare)
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK