Zërat
Adriatik Riza Dosti
Adriatik
Riza
Dosti

Ndaluni o të marrë…

Zërat April 01, 2026 - 21:14

Frenoni gojën e vini në punë trurin… ok.

Fjalën e kam për një lloj turme injorantesh e "patriotësh" që ka shpërthyer keq e ju është turrur djemve të Kosovës e veçmas kapitenit Vedat Muriqi pas humbjes së tyre 1-0 të enjten, më 31 mars 2026, kundër Turqisë në Prishtinë, në një ndeshje të vlefshme për një biletë në Kampionatin Botëror.

Akuza, epitete, sharje, statuse e shkrime… komente e analiza që veten idiotët më shumë se guximtarë mund t’i bëjnë publike.

Ja shiten ndeshjen Turqisë, Muriqi e humbi golin se turqit i kishin premtuar një vilë në Bodrum, askush nuk luajti për Kosovën e të gjithëve dukej se ju vinte keq po të humbte Turqia, Asllani nuk u angazhua fare, pse trajneri Foda si futi Zhegroven e Rashicën në lojë më përpara etj. etj…

Ç’mendurira që s’t’i rrok dot mendja.

Dhe janë po kjo pjesë turme që aq shëmtuar ngatërrojnë sportin me politikën. Janë po këta injorantë që rreth hotelit ku u akomodua ekipi i Turqisë nuk pushonin, se hedhin fishekzjare gjatë gjithë natës.

Janë po këta që vëllaun turk të deri dje e shndërruan brenda natës armik, e mirë që s’e nxorën me origjinë nga Beogradi.

Janë po këta që pas ndeshjes nxitonin të dilnin në foto me Zhegroven e Arda GylerinJanë këta që për një intervistë hodhën në tokë flamurin kombëtar të Shqipërisë e mbajtën në duar 2 mikrofonë. Ju turren Vedatit që aq shumë i ka dhënë futbollit të vendit të tij e gati-gati po e quajnë tradhëtar e shkaktar i humbjes.

Dhe harrojnë se si askush tjetër deri më sot, në 66 ndeshje, ai ka shënuar 32 gola… për Kosovën më së shumti e jo për veten e tij!

Ç’farë kërkoni më ju, mor injorantë e pseudo-patriotë, prej këtyre djemve të mrekullueshëm që aq shumë e duan Kosovën e që aq shumë kanë bërë për të, e që e sollën deri këtu sa sot krejt bota sportive dhe jo e tillë po flet gjithnjë e më shumë për ta e për Kosovën e tyre…

Ç’farë prisni më shumë, ju mor torollakë të lindur, prej këtij trajneri model që brenda 2 vjetësh e ngriti ekipin deri aty sa e çoi vetëm një hap larg pjesëmarrjes në një Botëror.

Ç’farë kujtoni ju… se me vetëm 10 vjet anëtarësi në FIFA e UEFA e me vetëm 18 vjet shtet e me një stadium kombëtar me vetëm 13 mijë vende… sipas jush Kosova duhet të mundë Anglinë, Spanjën, Francën, Argjentinën, Brazilin dhe duhet të jetë pjesëmarrëse në çdo Europian e në çdo Botëror… se kështu doni ju.

Apo mjafton me këndu “o sa mirë me qenë shqiptar”… xhamadanin vija-vija… kush s’kërce nuk osht shqiptar… çohu, Adem, e shih Drenicën… dhe krejt bota është nën këmbët tona.

Mjaft me marrezira e idiotësira të tilla… lërini rehat djemtë e mrekullueshëm të kësaj përfaqësueseje futbollistike të Kosovës…Larg duart e pista, mendjet perverse, e mbyllni gojët tuaja – hale në drejtim të tyre.

Ishte thjesht një ndeshje futbolli… natyrisht shumë e rëndësishme… tentuam e u përpoqëm ta fitonim, por ja që s’ja dolëm dot dhe kjo jo për paaftësinë tonë apo për meritë të kundërshtarit, por thjesht qofshin edhe për mungesë fati e për gjëra të tjera që rëndom ndodhin në një ndeshje futbolli… dhe vetëm kaq.

Do ta provojmë sërish e shumë shpejt dhe do tentojmë sërish, po aq seriozisht, teksa përpara kemi UEFA National League, Kampionatin Europian e më pas edhe atë Botëror… dhe fatmirësisht kemi në duar ndoshta gjeneratën më të mirë të futbollistëve kosovarë në historinë e Kosovës.

Ndaj, kur nuk dini e nuk doni të bëni mirë… të paktën qepini gojët tuaja idiote… e mos bëni keq… siç po bëni.

Ahhhh, të flisnit për Kombëtaren e Shqipërisë e t’u kërkonit hesap atyre që po e veshin fanellën e saj dhe nuk po e justifikojnë dot… t’u turreshit Dukës që po organizon një kampionat europian së bashku me Serbinë… e ta kritikonit ashpër, qofshin edhe Sylvinjo, për zhgënjimet që po na bën përsëpesh ndeshje pas ndeshje… këtu PO, edhe unë do isha plotësisht dakord me ju e do ju bashkohesha… ok. A.R.D

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK