Presidenti që përfaqëson unitetin e popullit
Të nderuar deputetë të kësaj legjislature, besoj se jeni pa mëdyshje të vetëdijshëm se para jush qëndron një nga detyrimet themelore për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, mbetet e paqartë pse duhet të zvarrisni këtë detyrë.
Kur të merret parasysh se bëhet fjalë për kreun e shtetit i cili, sipas nenit 83 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përfaqëson unitetin e popullit, dhe si garantues i funksionimit të shtetit, ngërthen në vete koncept thelbësor demokratik. Përfaqësimi i tillë bazohet në moton e veprimit në emër të popullit, me synim të integrimit dhe përfaqësimit të interesave të përbashkëta.
Nga kjo që u tha paraprakisht është evidente se për zgjedhjen e Presidentit mjafton të respektohet neni i përmendur 83 për një personalitet të pakontestueshëm, i cili me çdo kusht i përmbush edhe kriteret nga neni 85, që i referohet përkatësisë shtetërore dhe asaj të moshës.
Askush në Kosovë, por as në arenën ndërkombëtare, nuk beson se një figurë e tillë është vështirë të gjendet. Krizën e sërishme në këtë rast, e cila do të dëmtonte rëndë pozicionin ndëkombëtar të Kosovës, analisti i mirënjohur Daniel Serwer me të drejtë e quajti “jo normale”. Prandaj, do të ishte e pafalshme për deputetët e Kuvendit të Kosovës që të dështojnë në zgjedhjen e Presidentit, që domosdo imponon edhe përsëritjen e zgjedhjeve.
Duke pas parasush se zgjedhja e Presidentit bëhet me votim të fshehtë dhe me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, votat e tilla do të mund të siguroheshin duke u mbështetur edhe në votat e opozitës.
Pasi që partia në pushtet-LVV-ja e kupton realitetin dhe është e ndërgjegjshme për këtë fakt, ajo publikisht ka shprehur gatishmëri për gjetjen e një kandidati konsensual për President, duke konsideruar kandidatët e propozuar nga partitë opozitare.
Nëse kandidatët nga lista e tillë do ti përmbushnin kriteret e lartpërmendura nga neni 83, mendoj se njeri prej tyre, që do të ishte konsesual, lehtësisht do të mund ta siguronte numrin e nevojshëm për tu zgjidhur President i ri. Gjetja e një kandidati të tillë nënkupton një procedurë plotësisht transparente, e cila, për hirë të së vërtetës, nuk është se ka qenë e tillë gjat bisedimeve të deritashme.
Duke u nisur nga shpërndarja e votave të numrit të deputetëve të grupeve parlamentare në Kuvend dhe nga numri i nevojshëm prej dy të tretave, roli i deputetëve të PDK-së, si parti më e madhe opozitare, bëhet “rol vendosës”.
Në situatën aktuale kjo nënkupton edhe përgjegjësi për zhvillimet e ardhshme, sepse për shkuarjen eventuale në zgjedhje të sërishme, PDK-ja do të ishte ajo që do të fajësohej për mospëmbushjen e rolit vendosës. Njëjtë, faji do ti veshej LVV-së, nëse nuk do të mbështeste njërin nga kandidatët e propozuar, që qartësisht do të ishte i pakontestueshëm, kur të merret parasysh fakti se një figurë e tillë nuk do të duhet të ishte anonime ose figurë e panjohur për opinionin.
Zgjedhja e Presidentit mbipartiak do të ishte rast i parë i zgjedhjes së një kandidati konsesual, pas bisedimeve me vullnet të mirë dhe në mirëbesim ndërmjet subjekteve politike.
Vendosja e një praktike të tillë të suksesshme dhe efikase për zgjedhjen e përfaqësuesit të unitetit të popullit, duke respektuar në frymë dhe në germë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, besoj se do të ishte precedent i suksesshëm dhe model pozitiv për tu shfrytëzuar në situata të njëjta apo të ngjashme në të ardhmen.
Me respekt,
Rexhep Hasani
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK