Bekolli: Pensionistët e harruar, një padrejtësi që kërkon përgjigje
Në një shoqëri që synon drejtësi dhe barazi, mënyra se si trajtohen pensionistët është një tregues i qartë i ndërgjegjes kolektive dhe i funksionimit të shtetit.
Në Kosovë, fatkeqësisht, ekziston një kategori e tërë pensionistësh që vazhdojnë të mbeten në margjinat e sistemit , të diskriminuar, të harruar dhe të pambrojtur nga institucionet që duhet t’i përfaqësojnë.
Që nga përfundimi i luftës, mungesa e një ligji gjithëpërfshirës për pensionet ka krijuar një ndarje të padrejtë mes qytetarëve.
Në vend të një sistemi të bazuar në meritë dhe kontribut shoqëror, kemi një realitet ku pensionistët janë ndarë në qytetarë “të rendit të parë” dhe “të rendit të dytë”. Kjo ndarje nuk është vetëm administrative është thellësisht morale dhe politike.
Ndër më të goditurit janë punonjësit e mediave të dikurshme si “Rilindja” dhe RTP-së, si dhe mijëra punëtorë të dëbuar me dhunë gjatë viteve ’90 nga regjimi i Slobodan Milosheviqit. Këta njerëz jo vetëm që humbën vendet e punës për shkak të qëndrimit të tyre kundër një regjimi shtypës, por sot po ndëshkohen sërish, kësaj radhe nga shteti i tyre.
Paradoksi bëhet edhe më i thellë kur shihet se ata që kishin paguar kontributet sipas ligjeve të ish-Jugosllavisë, madje edhe disa që punuan nën masa të dhunshme të regjimit serb, përfitojnë pensione të plota nga buxheti i Kosovës.
Ndërkohë, ata që refuzuan të bashkëpunojnë me atë regjim dhe qëndruan në anën e drejtë të historisë, sot mbijetojnë me një ndihmë simbolike prej rreth 150 eurosh në muaj.
Ky është një deformim i rëndë i drejtësisë sociale.
Nuk është vetëm çështje financiare, por një mesazh i rrezikshëm që i jepet shoqërisë: se qëndrimi dinjitoz dhe rezistenca nuk shpërblehen, madje mund të ndëshkohen!
Situata rëndohet edhe më shumë nga fakti se kjo kategori pensionistësh përballet me pengesa të vazhdueshme institucionale. Ankesat e tyre refuzohen, ndërsa paditë zvarriten për vite të tëra nëpër gjykata.
Kjo nuk është thjesht neglizhencë është një formë e heshtur e mohimit të të drejtave.
Në të njëjtën kohë, një pjesë e shoqatave të pensionistëve duket se kanë zgjedhur heshtjen. Në vend që të jenë zë i fuqishëm i anëtarëve të tyre, ato janë zhytur në një “gjumë dimëror”, duke mos reaguar ndaj një gjendjeje që kërkon urgjentisht vëmendje publike dhe institucionale.
Në një kohë kur çmimet e energjisë dhe të produkteve bazë janë në rritje të vazhdueshme, të jetosh me 150 euro nuk është vetëm sfidë, është mbijetesë e skajshme. Shumë nga këta pensionistë vuajnë nga sëmundje kronike, dhe të ardhurat e tyre nuk mjaftojnë as për ilaçet, e lëre më për një jetë dinjitoze.
Kjo situatë kërkon një reagim të menjëhershëm. Institucionet e Kosovës duhet të hartojnë dhe miratojnë një ligj të drejtë dhe gjithëpërfshirës për pensionet, që nuk bën dallime mbi baza politike apo historike, por mbi parime të barazisë dhe drejtësisë.
Duhet të korrigjohet padrejtësia ndaj atyre që u sakrifikuan dhe nuk pranuan të përkulen.
Sepse një shtet që harron sakrificën e qytetarëve të vet, rrezikon të humbasë jo vetëm besimin e tyre, por edhe vetë themelin moral mbi të cilin është ndërtuar.
Zeqir Bekolli, Drenas
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK