AUVK-ja po lëngon për inspektorë dhe askush në Kosovë nuk e dëgjon
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës po ulëret, por askush nuk e dëgjon. As Ministria e Bujqësisë, as Kryeministri, askush… Kërkojnë hapur rritje të numri të inspektorëve, të cilët prej më shumë se dy vjetësh i kaluan Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, gjë që cenon rëndë sigurinë ushqimore.
Në dy postimet e fundit të AUVK-së në rrjetet sociale, kur janë publikuar njoftime/alerte, ky institucion në Kosovë shpreh publikisht mungesën e inspektorëve.
“Edhe pse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë po përballet me mungesë të inspektorëve, ajo mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të zinxhirit ushqimore…”, thuhet ndër të tjera në postimet e AUVK-së.
Një thirrje e hapur, duke treguar se ky institucion po lëngon. Siguria ushqimore e konsumatorëve të Kosovës duhet të jetë prioritet. Qytetarët e Kosovës dhe ushqimi i tyre i përditshëm nuk kanë asnjë përgjegjësi dhe asnjë lidhje me situatat politike, me krizat politike dhe institucionale në vend. Ata duan ushqim, produkte ushqimore dhe joushqimore të sigurta.
Qeveritarët e Kosovës së pari duhet të mendojnë për shëndetin publik, për shëndetin dhe jetën e qytetarëve të Kosovës, por edhe për detyrat që Komisioni Evropian iu le çdo vit nëpërmjet Raporteve të Progresit.
AUVK-ja s’po kërkon mëshirë; Po ulëret për njerëz, staf, inspektorë, për të rritur numrin e kontrolleve, cilësinë e kontrolleve, për të rritur nivelin e sigurisë ushqimore në të gjithë zinxhirin.
Prej më shumë se një viti, Qendra ALERT në Kosovë ka lëshuar alarmin për numrin e ulët të inspektorëve. Ata janë 74 në total, inspektorë veterinarë, fitosanitarë dhe inspektorë në pikat kufitare (dogana). Numër i papërfillshëm në raport me riskun që iu paraqitet çdo ditë qytetarëve të kosovës, në raport me numrin e Operatorëve të Biznesit Ushqimor dhe në raport me numrin e atyre që duan të abuzojnë dhe përfitojnë në kurriz të qytetarëve të Kosovës.
Qeveria në detyrë apo ajo që pritet të krijohet, duhet menjëherë të ndërtojnë politika të mirëfillta, pse jo dhe agresive, në mbrojtje të konsumatorëve. Të ndërtohet menjëherë një organigramë (strukturë) e re për AUVK-së e të plotësohet me staf/inspektorë, në të mirë të sigurisë ushqimore dhe proceseve të gjata e të vështira që e presin Kosovën për integrimin në BE.
Granit Sokolaj – Qendra ALERT
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK