Pesë vjet premtime, pesë vjet ngecje
Pesë vjetët e fundit në Kosovë kanë kaluar me shumë fjalë dhe pak rezultate. Jo për mungesë premtimesh, por për mungesë të aftësisë që ato të shndërrohen në funksionim të mirëfilltë shtetëror. Qeveria që erdhi me synimin për të pastruar institucionet dhe për t’i rikthyer standardet, sot gjendet përballë të njëjtave kritika që dikur ua drejtonte partive të vjetra, madje në disa aspekte edhe më rëndë.
Rryma vazhdon të mbetet plagë e hapur. Asnjë investim serioz në prodhim, asnjë vizion afatgjatë, vetëm improvizime dhe arsyetime. Kosova endet prej krizës në krizë dhe qytetarëve u kërkohet mirëkuptim sa herë që ndodh një dështim i ri. Tarifat rriten, furnizimi mbetet i pasigurt dhe çdo familje e ndien peshën direkt në buxhetin ditor.
Çmimet e produkteve të rëndomta janë rritur pothuajse në çdo sektor. Buka, vaji, bulmeti, transporti, ilaçet. Ajo që duhej të ishte mbrojtje e shtresës së mesme u kthye në peshë mbi ta, sepse reagimet ishin përkohësisht qetësuese, jo zgjidhje. Ndërsa komunikimi publik fliste për stabilitet, tregu fliste ndryshe: çdo javë, më pak për të njëjtën shumë.
Problemet me ujin janë tashmë turp që përsëritet. Ka zona që ende kanë orar, ndërsa ujërat e zeza rrjedhin në lumenj si dikur. Me vite dëgjohet e njëjta frazë për projekte strategjike që do të nisnin “sivjet”, por sivjet nuk vjen kurrë. Këto nuk janë defekte teknike, janë pasojë e drejtimit të dobët.
Në anën tjetër, familjarizmi është bërë normalitet. Ajo që dikur e kërkonin me forcë nga të tjerët, sot shihet në institucionet e tyre. Emërime të afërta, punësime me ndikim, rreth i mbyllur njerëzish që qarkullojnë brenda sistemit dhe që e mbajnë peng meritokracinë. Kritika më e madhe që u bëhej partive të mëparshme është bërë pjesë e qetë e qeverisjes së sotme.
Zvarritjet institucionale i kanë shtuar dëmet. Vendime që duhej të merreshin në kohë, kanë mbetur të bllokuara me muaj. Procedura që duhej të mbyllej brenda afateve, është lënë në sirtar deri sa problemi të marrë përmasa që pastaj shiten si urgjencë. Kjo mënyrë e të udhëhequrit e ka lënë shtetin pa ritëm dhe pa besueshmëri.
Marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë janë pika më e dobët e këtyre viteve. Kosova nuk mund të përballojë tensione të zgjatura me SHBA-në dhe me shtetet kryesore evropiane. Megjithatë, komunikimi është dobësuar, koordinimi është lënë anash dhe vendi është futur në situata ku reagimet emocionale kanë marrë vendin e diplomacisë. Historia e rajonit e ka treguar qartë se çfarë ndodh kur një vend i vogël e humb lidhjen me aleatët e vet strategjikë.
Të gjitha këto tregojnë se Kosova nuk është në krizë politike, por në krizë funksionale. Mungon menaxhimi elementar i energjisë, i çmimeve, i ujit, i institucioneve dhe i politikës së jashtme. Kur nuk funksionojnë bazat, çdo premtim i madh mbetet vetëm fjalë në letër. Përballë këtij realiteti, retorika nuk bën punë. Kërkohet punë e ndershme, përgjegjësi dhe vendimmarrje që e sheh shtetin, jo partinë.
Pesë vite janë më shumë se mjaft për të treguar nëse je qeveri që e çon vendin përpara apo e mban në vendnumërim. Ajo që kemi parë deri tani nuk është as përpara, as zhvillim, as standard i ri qeverisjeje. Është një vend që përballet me probleme të njëjta, me ritëm më të ngadalshëm dhe me shpresë të lodhur. Kosova ka nevojë për qeveri që e njeh realitetin dhe ka guxim ta ndryshojë atë, jo për qeveri që kërkon falje me komunikata dhe fajëson të tjerët për dështimet e veta.
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK