Zërat
Doruntina Meha
Doruntina
Meha

Gratë nuk janë veç nëna

Zërat December 09, 2025 - 11:23

Sa herë që nis fushata, partitë politike në Kosovë zbulojnë të njëjtin mentalitet të vjetër, e trajtojnë gruan sikur të mos ishte asgjë më shumë se një mitër me të drejtë vote.

Premtime qesharake për shtesa për fëmijë, pako ushqimore, lehona dhe çerdhe që s’i sheh askush, sikur gruaja të mos kishte profesion, ambicie, jetë publike, zë politik.

E reduktoni në nënë, në kujdestare, në dikë që “mjafton ta ndihmosh pak” që të ta kthejë votën. Është përçmim i pastër, I paketuar si “politikë sociale”. Dhe është skandaloze që në vitin 2025 politika ende mendon se gruaja blihet me një pako miell dhe dy premtime boshe. Kjo qasje nuk është vetëm e gabuar, por fyerje publike ndaj gjysmës së këtij vendi.

Gruaja në Kosovë është shumë më tepër se nënë; është profesioniste, punëtore, studente,

aktiviste, kryefamiljare që mban një shtëpi mbi supe, viktimë e dhunës që kërkon mbrojtje e shpesh nuk e gjen, qytetare që kërkon vend në tregun e punës, qasje në drejtësi, arsimim, trajnim profesional, titull pronësie, strehim, dinjitet. Ajo nuk kërkon pako por politika.

Nuk kërkon asistencë, por mundësi. E megjithatë, realiteti është brutal: shumë gra ende votojnë për 20 euro. Jo sepse janë të paditura, por sepse varfëria, izolimi, mungesa e punësimit, mungesa e pasurisë në emër të tyre, mungesa e strehimit, presioni familjar dhe mungesa e lirisë ekonomike i kanë çuar pikërisht në këtë pikë.

Kur nuk ke punë, nuk ke strehë, nuk ke mbështetje dhe nuk ke zgjidhje, 20 euro duken si oksigjen. Por ky oksigjen është helm, mban gjallë varfërinë vetëm sa për t’i rikthyer gratë në rolin e votueseve të kontrollueshme.

E nëse partitë duan të dinë pse po e humbin votën e grave, përgjigjja është shumë e thjeshtë: sepse po i reduktoni ato në qenie që votojnë vetëm si nëna, jo si qytetare, sepse fushatat tuaja mbushin oda e salla vetëm me burra, ndërsa gratë shihen nga larg si objekt elektoral; sepse u flisni burrave të tyre ndërsa në kutinë e votimit ato votojnë ndryshe, votojnë për ato 20 euro që ju i ofroni për t’i mbajtur të varfra dhe të paemancipuara. Kur nuk i jepni gruas vend në diskutim, ajo gjen vend vetëm në listën e asistencës. Dhe kështu ju humbni votën e saj sepse askush nuk voton me dinjitet kur trajtohet pa dinjitet.

Shteti nuk ka asnjë meritë për përmirësimin e pozitës së grave. Për çdo arritje, ato janë ngritur vetë, përmes sakrificave që politika as nuk i njeh. Në një vend ku dominimi i burrave është strukturor, çdo përparim i gruas ka ardhur jo si rezultat i shtetit, por si produkt i vullnetit, guximit dhe mbijetesës së tyre.

Por jo çdo grua ka mundësi të mbijetojë kështu. Shumica nuk e ka këtë mundësi dhe pikërisht ato shumica përdoren nga partitë si target elektoral.

Ky cikël duhet të marrë fund. Fushatat politike duhet të transformohen rrënjësisht: jo më spote të zbrazëta, jo më pako ushqimore, jo më subvencione afatëshkurtëra që nuk e ndryshojnë jetën e askujt.

Partitë duhet t’u flasin grave si qytetare, jo si kategori sociale. Të hartojnë plane reale për punësim, programe të qëndrueshme për fuqizim ekonomik, skema efektive strehimi për viktimat e dhunës, mundësi të financuara për arsim profesional, qasje të garantuar në drejtësi, politika për pronësim, mbështetje për bizneset që ato hapin. Të flasin me gjuhë dinjiteti, jo me gjuhë mëshire.

Mos harroni gruaja është shumë më tepër se nënë dhe shumë më tepër se një votë që blihet me 20 euro. Ajo është e ardhmja e këtij vendi. Dhe është koha që politika të dalë nga mentaliteti nënçmues, gruaja nuk është më spektatore, ajo është forca që i lëviz themelet e këtij vendi.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK