Zërat
Haxhi Ademi
Haxhi
Ademi

Nga Revolucioni amerikan te lufta e Kosovës: Paralelet e Wesley Clarkut për lirinë

Zërat November 19, 2025 - 08:25

Një nga dëshmitë më të rëndësishme që është dhënë ndonjëherë në Hagë për luftën e Kosovës dhe rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është dëshmia e gjeneralit Wesley Clark, ish-komandant suprem i Forcave Aleate të NATO-s, një nga figurat kyçe të ndërhyrjes humanitare të viteve 1998–1999. Dëshmia e tij në Hagë përbën një pikë referimi të fuqishme për të kuptuar të vërtetën e luftës sonë.

Gjatë dëshmisë së tij, Clarku u shpreh qartë dhe pa mëdyshje se UÇK-ja nuk ishte organizatë terroriste, siç përpiqej ta paraqiste propaganda serbe, por një forcë legjitime që luftoi për liri, dinjitet dhe mbijetesë në kushte të jashtëzakonshme represioni. Sipas tij, UÇK-ja ishte përgjigjja e vetme e popullit shqiptar ndaj dhunës sistematike, masakrave, dëbimeve dhe spastrimit etnik që po kryente aparati shtetëror serb. Kjo dëshmi, e dhënë nga personi që drejtoi aleancën më të madhe ushtarake në botë, rrëzon çdo pretendim të ngritur kundër luftës sonë çlirimtare.

Gjenerali Clark foli edhe për lidershipin e UÇK-së. Ai përshkroi udhëheqësit e saj si njerëz të guximshëm dhe të vendosur, por njëkohësisht të kujdesshëm, sepse çdo vendim i tyre lidhej drejtpërdrejt me jetën e civilëve, me fate familjesh dhe me të ardhmen e një populli të tërë. Ky vlerësim i një figure ndërkombëtare të kalibrit të Clarkut konfirmon qartë se UÇK-ja ishte një lëvizje e përgjegjshme dhe e orientuar drejt mbrojtjes së popullit.

Një moment tjetër tejet i rëndësishëm i dëshmisë së tij lidhet me akuzat për të ashtuquajturin “trafikim organesh”. Clarku u shpreh hapur se këto pretendime ishin inskenime politike, të fabrikuara nga qarqe ruse dhe serbe me qëllimin e vetëm për ta kriminalizuar UÇK-në dhe për ta paraqitur atë sikur ishte një grup i ngjashëm me formacionet e demonizuara çeçene. Ai theksoi se nuk ekzistonin prova për këto pretendime dhe se ato ishin pjesë e një fushate të koordinuar propagandistike.

Gjenerali Clark foli edhe për një çështje që shpesh mbetet në hije: divergjencat brenda vetë NATO-s gjatë fushatës në Kosovë. Ai përmendi episodin e njohur kur forcat ruse u nisën drejt aeroportit të Prishtinës dhe komandanti britanik refuzoi urdhrin për t’i ndaluar, me arsyetimin se nuk dëshironte “të fillonte Luftën e Tretë Botërore”. Ky moment na kujton se edhe brenda aleancës kishte qasje të ndryshme ndaj Rusisë dhe ndaj situatës në Kosovë.

Gjithashtu, Clarku theksoi mungesën e reagimit të mjaftueshëm nga forcat franceze në veri të Kosovës, çka krijoi hapësirë që strukturat serbe të ushtronin spastrim etnik në ato zona menjëherë pas hyrjes së trupave ndërkombëtare. Ky fakt, i thënë nga një dëshmitar i rangut më të lartë ushtarak, na ndihmon të kuptojmë më mirë realitetet gjeopolitike që e shoqëruan pasluftën në Kosovë.

Clarku foli edhe për një moment tepër domethënës që lidhet me takimin e tij me presidentin e Maqedonisë, Kiro Gligorov, menjëherë pas rënies heroike të familjes Jashari në Prekaz, ngjarje që tronditi gjithë rajonin. Sipas dëshmisë së Clarkut, presidenti Gligorov e kishte paralajmëruar se situata në Kosovë po hynte në një fazë jashtëzakonisht të rrezikshme dhe se konflikti i armatosur mund të shpërthente shumë shpejt, përmasat e të cilit do të tejkalonin kufijtë e Kosovës dhe do të trazonin gjithë Ballkanin.

Ky takim, sipas Clarkut, ishte një pikë kthese. Ai dëshmoi se pas paralajmërimeve të presidentit maqedonas, kishte filluar të hartonte planin e veprimit, duke e kuptuar se situata në Kosovë po shkonte drejt një krize të thellë që kërkonte vendimmarrje të guximshme dhe të koordinuar.

Clarku vuri theksin se pikërisht në këtë periudhë ai filloi të analizonte skenarët e ndërhyrjes së NATO-s, si mënyrë e vetme për të parandaluar shfarosjen e popullit shqiptar dhe për të frenuar agresionin e aparatit shtetëror serb. Paralajmërimi i Gligorovit, siç e cilësoi ai, ishte një sinjal i hershëm që i ndihmoi strukturat ndërkombëtare të kuptonin përmasën e krizës.

Në përmbyllje të dëshmisë së tij, gjenerali Wesley Clark kërkoi edhe dy minuta shtesë për të dhënë një mesazh të qartë dhe me vizion afatgjatë mbi atë që kishte ndodhur në Kosovë dhe rëndësinë e UÇK-së në historinë moderne. Në ato minuta, Clark ngriti një paralele të drejtpërdrejtë me Revolucionin Amerikan, duke theksuar se çdo popull që lufton për liri, pavarësi dhe dinjitet njerëzor ndeshet fillimisht me shpifje, me stigmatizim dhe me përpjekje për ta delegjitimuar kauzën e tij.

Ai tha se, ashtu si luftëtarët e revolucionit amerikan në shekullin XVIII, edhe UÇK-ja përfaqësonte vullnetin e një populli të shtypur që kërkonte t’i jepte fund padrejtësisë historike. Sipas Clarkut, rezistenca shqiptare në Kosovë nuk ishte luftë për territor, por luftë për të drejtën themelore për të jetuar të lirë. Ai e paraqiti UÇK-në si një lëvizje të karakterit moral, të mbështetur në të drejtën ndërkombëtare dhe në parimet e lirisë që i përkasin çdo populli.

Në këtë kontekst, Clarku e lidhi mesazhin e tij edhe me situatën aktuale në Ukrainë, duke theksuar se agresioni, dhuna shtetërore dhe përpjekjet për të nënshtruar popuj të tërë nuk janë fenomene të së kaluarës. Ai tha se ajo që ndodhi në Kosovë gjatë viteve 1998–1999 është një kujtesë e gjallë se çfarë ndodh kur bota nuk reagon me kohë dhe se ndërhyrja e NATO-s ishte një shembull se si bashkësia ndërkombëtare mund të parandalojë shfarosjen dhe spastrimin etnik.

Dëshmia e Wesley Clarkut është shumë më tepër se një deklaratë ushtarake. Ajo është një akt i së vërtetës historike. Është një shpjegim i qartë i natyrës çlirimtare të UÇK-së, një kundërpërgjigje ndaj propagandës dhe një dokument që ruan kujtesën e drejtë të luftës sonë.

Ajo dëshmi na mëson se liria e Kosovës nuk erdhi rastësisht. Ajo erdhi falë sakrificës së popullit tonë, falë vendosmërisë së UÇK-së dhe falë mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë që e kuptuan drejtë dramën që po ndodhte në këtë vend.

Dhe mbi të gjitha, dëshmia e Clarkut na kujton se drejtësia dhe e vërteta kanë forcën e tyre, mbase jo të menjëhershme, por të pandalshme.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK