Zërat
Abit Hoxha
Abit
Hoxha

Kur fjalët kthehen në armë, siguria e gazetarëve në Kosovë në rënie

Zërat November 05, 2025 - 10:36

Në një kohë kur liria e shtypit shpesh përmendet si themeli i demokracisë, realiteti për shumë gazetarë në Kosovë tregon një histori krejt tjetër.

Sipas Raportit të Progresit të Komisionit Evropian (2025), gjatë periudhës raportuese janë regjistruar 70 raste të sulmeve fizike, verbale apo kërcënimeve ndaj gazetarëve. Këto përfshijnë pengesa në punën e tyre, gjuhë fyese dhe kërcënuese, madje edhe sulme të drejtpërdrejta. Në të njëjtën periudhë, është regjistruar edhe një rast i padisë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), e cila është një formë gjithnjë e më e zakonshme e presionit ndaj mediave me mjete ligjore.

Më shqetësuese se numrat janë mesazhet që ato përcjellin: një kulturë mosndëshkueshmërie dhe armiqësie ndaj gazetarëve, e cila po normalizohet përditë. Pas çdo statistike qëndron një njeri, një gazetar që është kërcënuar në rrjete sociale, është penguar në terren apo është fyer publikisht nga zyrtarë të lartë. Çdo rast i tillë nuk është vetëm një sulm personal, por është goditje edhe ndaj vetë demokracisë.

Raporti vë në dukje se gjatë fushatës zgjedhore, edhe zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë Kryeministrin, kanë përdorur gjuhë ofenduese ndaj mediave. Kjo nuk është çështje mirësjelljeje politike, por është çështje pushteti. Kur udhëheqësit politikë i quajnë gazetarët “të shitur”, “propagandistë” apo “armiq”, ata dërgojnë një sinjal të rrezikshëm: se fjalët e rënda ndaj mediave janë të pranueshme dhe një armatë e tërë e përdoruesve online e amplifikojne këtë qasje. Fjalët, në këtë rast, bëhen armë.

Kur një gazetar frikësohet, publiku humb të drejtën për të ditur. Gazetarët, por edhe redaktorët, fillojnë të vetëcensurohen. Heshtja bëhet formë mbijetese. Dhe kështu, demokracia zbehet me frikë dhe lodhje. Shto këtu dhe presionin financiar dhe ekonomik, kontratat dhe presione tjera, dhe shohim se gazetarët në Kosovë janë një kategori sociale nën presione të mëdha.

Edhe pse në raport përmendet vetëm një rast i padisë strategjike kundër pjesëmarrjes publike, SLAPP-et janë një fenomen që duhen marrë seriozisht. Ato janë mjete juridike për t’i lodhur gazetarët, për t’u imponuar kosto të mëdha financiare dhe për t’i trembur që të mos publikojnë. Është një mënyrë moderne për të thënë: “Nëse shkruan për mua, do ta paguash shtrenjtë.”

Edhe pse Kushtetuta e Kosovës garanton lirinë e shprehjes, zbatimi i ligjit është i paqëndrueshëm. Shumë raste kërcënimesh mbeten të pazgjidhura, ndërsa hetimet shpesh zvarriten pa rezultate. Kjo krijon përshtypjen e rrezikshme se mund të kërcënosh një gazetar dhe të kalosh pa pasoja.

Në epokën digjitale, kërcënimet janë zhvendosur online. Fushatat e linçimit dhe abuzimet në rrjete sociale janë bërë pjesë e përditshme e jetës së gazetarëve, veçanërisht e grave gazetare. Megjithatë, sistemi i drejtësisë por edhe ai i qeverisjes ende nuk i trajton këto raste me seriozitetin që e meritojnë. Kjo mungesë mbrojtjeje e bën profesionin e gazetarit më të pasigurt se kurrë më parë.

Kur gazetarët frikësohen, humb gjithë shoqëria. Gazetaria nuk është luks demokratik, por mekanizëm kontrolli ndaj pushtetit. Pa media të lira dhe të sigurta, korrupsioni mbetet i paraportuar, dhe qytetarët mbeten pa informacion të besueshëm.

E ardhmja demokratike e Kosovës nuk matet vetëm me zgjedhje të rregullta, por edhe me mënyrën se si trajtohen ata që kërkojnë llogari nga pushteti. Raporti i Komisionit Evropian nuk është thjesht dokument teknik, por pasqyrë sikurse raporti i Raportuesve pa Kufi apo të tjera raporte ndërkombëtare. Dhe ajo që shohim në të sot, duhet të na shqetësojë të gjithëve. Ky raport jep sinjalin e thjeshtë se Kosova ka bërë hapa përpara drejt integrimit evropian, por pa një shtyp të lirë dhe të sigurt, ky rrugëtim mbetet i brishtë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK