Zërat
Agim Kasapolli
Agim
Kasapolli

Nga medaljet e xhudos te turpi i basketbollit e volejbollit

Zërat September 01, 2025 - 19:58

A ka aritur Kosova ato që duhej t’i kishte arritur pas 25 vitesh lirie në sport?

Jo!

Pse? Sepse janë braktisur disa virtyte që dikur, edhe pse të imponuara nga rrethanat e kohës, garantonin seriozitet dhe rend në sport: përgjegjësia për punën profesionale, dënimet e rrepta për shkelësit, mandatet e kufizuara në drejtimin e federatave, përgjegjësia individuale dhe kolektive. Prej një çerekshekulli këto parime kanë avulluar.

Sot, kur nuk kemi më pengesa politike nga regjimi serb dhe suksesi varet vetëm nga vetëdija e profesionalizmi ynë (përjashto sportin e xhudos), pas 25 vitesh lirie sporti i Kosovës është i kapur nga klane të organizuara. Në federata sundojnë të njëjtët njerëz, që përmes kuvendeve të kurdisura rinovojnë mandatet pa dhënë asnjë përgjegjësi, ndërkohë që rezultatet turpëruese në arenën ndërkombëtare poshtërojnë shtetin.

Rezultatet poshtëruese

Gjatë korrikut e gushtit, kombëtaret e Kosovës në basketboll dhe volejboll – në të dyja konkurrencat dhe në të gjitha grupmoshat – morën pjesë në gara ballkanike e evropiane. Rezultati: gjithmonë të fundit në Ballkan e Evropë.

Në Kampionatin Evropian të Basketbollit për U21, Kosova nuk shënoi asnjë fitore. Madje kundër Turqisë, në një çerek, humbi 24:0 – një turp i paprecedentë për garat evropiane. Rezultatet e vajzave janë edhe më poshtëruese.

Megjithatë, Federata e Basketbollit vazhdon të shpenzojë miliona për trajnerë të huaj: pesë selektorë në 23 vjet – tre amerikanë, një grek dhe një francez – bilanci? Zero! Pagesat janë të mëdha, por mbahen të fshehta nga opinioni.

Edhe volejbolli nuk është më mirë. Që nga pranimi në FIVB në vitin 2015, Kosova nuk ka fituar asnjë ndeshje, veç një set ndaj Malit të Zi – rast për librin Guinness! Ndërkohë, kjo federatë ka katër doktorë shkencash në fushën e volejbollit. Për ironi, FIVB ia dërgon Kosovës trajnerin malazez Darko Prebiqeviq si selektor të kombëtares A, ndërsa para tij ishte sllovaku Martin Nemec – i dyti ipaguar nga taksapaguesit kosovarë.

Pyetja është: a nuk turpërohen këta katër “doktorë” që zënë tri vende pune secili, me paga e honorare të majme, ndërsa rezultatet janë zero? Diplomën e doktoratit e përdorin vetëm për privilegje personale, udhëtime e sundim.

Federata e Basketbollit dhe ajo e Volejbollit janë të dyta dhe të treta për nga shumat që marrin nga buxheti i shtetit (pas xhudos). Vetëm në dy vitet e fundit, këto dy federata kanë marrë mbi 2milionë euro – pa përfshirë sponsorët dhe marketingun. Lexues të nderuar, a e justifikojnë këto rezultate këtë shpërdorim?

KOK-u i kapur

Para pesë vitesh, kur në krye të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) erdhi Ismet Krasniqi në vend të Besim Hasanit, u besua se do të kishte ndryshim. Por pritja ishte e kotë: pesë vite stagnim, pa asnjë reformë. Për më tepër, Hasani u rikthye si “kryetar nderi”, ndërsa djali i tij u emërua këshilltar i Krasniqit.

KOK-u është i kapur nga njerëzit që kontrollojnë federatat dhe votat dihen paraprakisht. Rasti më i çuditshëm është ai i Agron Kukës, kryetarit të Federatës së Xhudos. Megjithëse puna e tij solli pesë medalje olimpike për Kosovën dhe respekt nga bota, ai nuk mori votat e nevojshme për t’u zgjedhur anëtar i bordit të KOK-ut. Një muaj më vonë, i njëjti u zgjodh në forumin më të lartë të xhudos evropiane! Ndërkohë, persona anonimë, si kryetari i triatlonit Gazmend Magjuni, vazhdojnë të mbajnë mandate të shumta në KOK, madje edhe si nënkryetar.

Bastionet e uzurpimit

Federatat dhe KOK-u nuk janë më institucione sportive. Ato janë shndërruar në bastione të zhvatjes, uzurpimit dhe nepotizmit, ku futbolli prin me keqmenaxhim. Nuk është çudi që sporti ynë po fundoset kur drejtuesit nuk janë aty për të ndërtuar, por për të grabitur. Postet janë kthyer në pronë të familjeve dhe miqve të ngushtë, ndërsa meritokracia është fjalë boshe.

Kjo nuk është thjesht vonesë apo paaftësi. Kjo është vjedhje sistematike e mundësive të brezave të rinj. Është mbyllje e dyerve për talentet e reja dhe vendosje në krye e njerëzve të paaftë vetëm për interesa personale.

Duke mbrojtur këtë sistem, po e shkatërrojmë sportin që dikur na bënte krenarë. Duke heshtur përballë këtij kriminaliteti të maskuar si “menaxhim”, po bëhemi bashkëfajtorë.

Nëse nuk ndodh diçka drastike, sporti i Kosovës do të vazhdojë të degradojë, ndërsa ne do të mbetemi vetëm spektatorë të rënies së tij.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK