Zërat
Enis Veliu
Enis
Veliu

Kur dhuna vishet me uniformë, humb besimi qytetar

Zërat July 09, 2025 - 20:35

Janë së paku tri raste që tashmë po dihen edhe botërisht që kanë tronditur publikun dhe kanë zbehur seriozisht besimin në Policinë e Kosovës, një institucion që është dashur të jetë gardian i sigurisë, jo burim frike.

E përbashkëta e këtyre rasteve nuk është vetëm fakti se janë shoqëruar me dhunë e abuzim, por edhe tentativa e strukturave brenda Policisë për të manipuluar ngjarjet dhe për të viktimizuar agresorin.

Rasti i parë daton në nëntor të vitit të kaluar. Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Llausha, humbi jetën në një aksident komunikacioni, ku u përfshi një veturë e Policisë së Kosovës.

Pa u bërë ende autopsia dhe pa pasur prova të mjaftueshme, Policia doli në publik dhe fajësoi Ademin si shkaktar të aksidentit.

Por, kur u siguruan pamjet e kamerave të sigurisë, e vërteta doli krejt ndryshe: ishte vetura e Policisë ajo që kishte goditur automjetin e Ademit, e jo anasjelltas.

Edhe më keq, polici që e shkaktoi aksidentin kishte tentuar ta paraqiste veten si viktimë, por përfundoi në burg.

Ky rast nuk ishte vetëm tragjik, por edhe shokues për mënyrën se si u trajtua nga institucioni që duhet të garantojë drejtësi.

Rasti i dytë, në Klinë, ndjek të njëjtin model të manipulimit. Pas arrestimit të një qytetari, Policia përpiloi një raport zyrtar ku pretendonte se i arrestuari kishte sulmuar zyrtarët policorë.

Kur pamjet e kamerave u publikuan, edhe këtu u dëshmua se raporti ishte i fabrikuar.

Ishin pikërisht policët ata që ushtruan dhunë, ndërsa i arrestuari u lirua menjëherë.

Një tjetër rast ku dhuna vishet me uniformë dhe e vërteta shtypet nga raportet e manipuluara.

Rasti i tretë dhe më i freskët, ndodhi në Lipjan. Në fillim u tentua që ngjarja të fshihej si një ndërhyrje “rutinë”. Por dëshmitë filmike e rrëzuan versionin zyrtar.

Pesë policë përfunduan në pranga nën dyshimin se gjatë arrestimit kishin shkaktuar vdekjen e një të riu.

Përpjekjet për ta paraqitur rastin si një incident të zakonshëm ranë si kështjellë rëre përballë pamjeve të pakontestueshme.

Të gjitha këto raste kanë një narrativë të rrezikshme: një polici që nuk heziton të manipulojë të vërtetën për të mbrojtur njerëzit e saj, edhe kur ata janë 100% agresorë. Kjo është e papranueshme.

Besimi qytetar ndërtohet me transparencë, ndershmëri dhe përgjegjësi, jo me heshtje, justifikime apo mbulim të skandaleve. Në vend që të distancohet nga zyrtarët që e turpërojnë uniformën, drejtori i Policisë së Kosovës ka zgjedhur të heshtë ose të relativizojë rastet përmes disa komunikatave për publik.

Është urgjente dhe e domosdoshme që udhëheqja e Policisë të marrë një qëndrim të qartë dhe të prerë. Jo nesër, por sot. Të gjithë ata që kanë abuzuar me forcën dhe uniformën duhet të shkarkohen, të hetohen dhe të ndëshkohen. Përndryshe, çdo fjalë për “shtet ligjor” dhe “siguri për qytetarët” do të tingëllojë si hipokrizi boshe.

Sepse kur qytetari e sheh policin si rrezik e jo si mbrojtje, atëherë shteti ka humbur jo vetëm nderin, por edhe themelet.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK