Zërat
Hamish de Bretton-Gordon
Hamish
de
Bretton-Gordon

Izraelitët po ia bëjnë një nder të madh botës

Zërat June 16, 2025 - 09:31

Për të paktën dy dekadat e fundit Irani ka qëndruar prapa pjesës më të madhe të paqëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme. Milicitë e tij ndezën trazira në Irak – pas rënies së Saddam Husseinit në vitin 2003 – dhe mundësuan zhvillimin e Shtetit Islamik në pjesë të botës arabe.

Hezbollahu, krahu i tij i armatosur në Liban dhe Siri, mbajti në pushtet regjimin e tmerrshëm të Assadëve për një brez të tërë dhe lejoi vrasjen e qindra-mijëra civilëve të pafajshëm. Unë e kam parë Hezbollahun nga afër në Siri, për 10 vjet, dhe këtë vit pashë gëzimin e madh të popullit sirian kur milicia e mbështetur nga Irani u mposht atje.

Irani gjithashtu ka udhëhequr hutët për të kërcënuar transportin global detar dhe mbështet vrasësit gjakatarë të Hamasit. Por, plani madhor strategjik i mullahëve ka qenë gjithmonë zhvillimi i një arsenali bërthamor. Ky do të ishte një rrezik i padurueshëm jo vetëm për Izraelin, por edhe për shtetet e tjera që regjimi në Teheran i konsideron armiq – duke përfshirë edhe neve.

Fatkeqësisht, presidenti Donald Trump nuk arriti t’i bindte mullahët që të hiqnin dorë nga programi i tyre bërthamor. Tani duhet të jetë më se e qartë se udhëheqja iraniane nuk ka asnjë qëllim të heqë dorë nga programi për armë bërthamore, dhe bombat iraniane përbëjnë kërcënim po aq për Londrën dhe për Uashingtonin sa për Tel Avivin. Ashtu si presidenti Vladimir Putin në Moskë, edhe Udhëheqësi Suprem në Teheran nuk shqetësohet aspak për popullsinë civile.

Prandaj, pavarësisht asaj se çfarë mendojnë njerëzit për Izraelin, përpjekjet e tij në këtë rast për t’i dhënë fund ambicieve bërthamore të Iranit duhen përshëndetur dhe mbështetur nga gjithë bota e lirë. Ka shqetësime të mëdha, dhe me të drejtë, për një përshkallëzim, por askush nuk është apo duhet të jetë i gatshëm të mbështesë Teheranin. Edhe pse Irani ka dhënë shumë mbështetje për Putinin në luftën e tij të paligjshme në Ukrainë, ai mezi ka lëvizur një gisht apo ka thënë ndonjë fjalë për të ndihmuar.

Sigurisht, e vërteta është që Putini në fakt i përçmon të gjithë në Lindjen e Mesme dhe pa ar të paguar, raketa apo ndonjë tjetër shpërblim, ai nuk do të bënte kurrë asgjë për Iranin. Kanë heshtur mbështetësit e tjerë tradicionalë të mullahëve. Çdo përshkallëzim do të vijë vetëm nga Irani – dhe vetëm nëse e lejojmë ne.

Kjo situatë e rrezikshme, sipas mendimit tim, e bën edhe më të qartë se ne britanikët duhet të shpenzojmë – të paktën – tre për qind të PBB-së për mbrojtjen. Dhe, ky numër nuk duhet të arrihet duke pretenduar se shërbimet sekrete, spiunët, diplomacia apo pensionet janë shpenzime për mbrojtje, siç po bëjmë tani me këtë objektiv të rremë prej 2.6 për qind. Ne kemi nevojë për një rritje reale dhe të ndershme të shpenzimeve për një mbrojtje të vërtetë, jo lajthitje nga Thesari.

Shpresoj që edhe “uokerat [woke]” të cilët në mënyrë të çuditshme mbështesin këdo që do të na bënte keq – dhe që janë të verbër ndaj faktit se ata që mbështesin nuk ndajnë aspak vlerat e tyre – do ta kuptojnë se fshirja pas shalleve të rremë dhe flamujve të “çlirimit” nuk do t’i mbrojë aspak nga mullahët të cilët do të donin të na shihnin të gjithëve duke u djegur në ferr, me personat LGBTQ+ dhe feministet të rendin e parë.

Ndërkohë, me burimet tona të kufizuara, po bëjmë gjërat e duhura. Përshëndes vendosjen e aeroplanëve të Forcave Ajrore Mbretërore [RAF] në rajon. Forca është e vetmja “monedhë” që ka vlerë kur bëhet fjalë për ballafaqimin me Iranin. Izraelitët po bëjnë punën tonë për ne, por ne duhet të jemi të gatshëm të ndihmojmë nëse kërkohet.

Dhe, në fakt, ndihma mund të jetë e nevojshme, ndonëse ne britanikët nuk mund ta ofrojmë atë. Pjesët më të thella të kompleksit të pasurimit të uraniumit në Natanz ndoshta janë përtej mundësive të çdo arme që kanë izraelitët. Mund të jetë e nevojshme të përdoret “Shkatërruesi Masiv i Fortifikatave” [Massive Ordnance Penetrator – MOP], një shtizë gjigante dhe e rëndë prej çeliku me ngarkesë shpërthyese, e ngjashme me bombat që çanin bunkerët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vetëm bombarduesit e rëndë amerikanë mund ta mbajnë MOP-in, prandaj vendimi do t’i takonte presidentit Trump. Një alternativë mund të ishte ndonjë operacion i guximshëm i shërbimeve speciale. Mossad-i dhe shërbimet e tjera sekrete izraelite duket se janë mjaft të afta për të ndërmarrë diçka të tillë, siç kanë dëshmuar në ballafaqimin me Hezbollahun.

Ka shumë njerëz në këtë vend që shqetësohen se ky konflikt do të ndezë një luftë më të gjerë në të gjithë Lindjen e Mesme. Ata druajnë se Mbretëria e Bashkuar mund të përfshihet dhe unë e kuptoj këtë shqetësim. Si ushtar britanik, kam marrë pjesë dy herë në luftëra në këtë rajon.

Megjithatë, besoj se sulmet e nevojshme të Izraelit ndaj programeve bërthamore të Iranit do ta bëjnë botën në përgjithësi – dhe Britaninë në veçanti – shumë më të sigurt sesa nëse Republika Islamike do të arrinte të siguronte “bombën”. Është më mirë të përballesh me probleme të tilla të rënda që në fazat e hershme, sesa t’i lësh të zhvillohen plotësisht dhe të veprosh më vonë.

Burimi: The Daily Telegraph

Përkthimi: Telegrafi.com

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK