Kryeministër po ta dëgjoje zërin tonë, s’do ta prishje zërin tënd
Kryeministër në takimet me elektoratin tuaj po bërtisni shumë dhe deri në fund të fushatës është rrezik të mbeteni krejt pa zë dhe kjo nuk është mirë. Njeriu bërtet shumë vetëm atëherë kur është i mllefosur e nervoz dhe ju e dini pse jeni.
Ti vazhdo me britmat, por unë po ta kujtoj se po ta dëgjoje për këto katër vjet të qeverisjes zërin tonë, pra të punëtorëve arsimorë, të policëve, administratës, zjarrfikësve, pensionistëve dhe qytetarëve plot halle, atëherë do ta ruaje zërin tënd në fushatë, sepse në mënyrë të qetë e pa nervozë do të numëroje plotësimin e kërkesave legjitime të punëtorëve në sektorin publik dhe do të flisje edhe për arritjet në gjithë sferat e jetës, por në mungesë të kësaj ti s’ke çka bën tjetër përveç se të bërtasësh. Ti dhe Qeveria duke pasur qasje të gabuar e armiqësore ndaj gjithë atyre që nuk të duartrokitnin kot, le që nuk komunikove me përfaqësuesit e punëtorëve e pensionistëve, por, si për inat, veprove në të kundërtën a asaj që ata kërkonin me të drejtë.
Ti Kryeministër është mirë t’i thuash dikujt nga partia të të zëvendësoj bile në dy a tri tubime, se kështu si po bërtet do të mbetesh krejt pa zë në gjysmë të fushatës se janë edhe do ditë deri të dita e zgjedhjeve. Por, ta kuptoj hallin se ndoshta edhe nuk ke kujt t’ia besosh këtë detyrë se ata ose do të mundohen të të kopjojnë e të bërtasin, ose të nisin e të këndojnë siç bëri ministrja Nagavci. Ajo, mbase, duke u frikësuar se ministre nuk do të zgjidhet kurrë më, ka dashur të provojë se mos po merr popullaritet si këngëtare.
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK