Zërat
Esad Ejupi
Esad
Ejupi

Ja kush janë përgjegjësit për ta parandaluar konfliktin e interesit

Zërat December 09, 2024 - 08:28

Është krijuar përshtypja se sa herë që përmendet termi “konflikt interesi” të gjithë, madje edhe ata që në një mënyrë apo tjetrën vet janë përgjegjës, mendojnë se për këtë temë duhet të pyetet çdo herë Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK).

Fakt se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit është autoriteti qendror përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Por, jo i vetmi, jo i pari, jo edhe në secilën pyetje!

Ka edhe një varg të përgjegjësish tjerë që duhet ta kenë përgjigje në situata të shfaqjes së konfliktit të interesit.

E kush janë ata?

Duke u nisur direkt nga emërtimi i ligjit përkatës që quhet; Ligji për Parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik (LPKI), fjala kyçe në të tregon qëllimin, që do të thotë është “parandalimi” i konfliktit të interesit, dhe në kuptim të kësaj, të gjitha veprimet dhe procedurat për të evituar vendimmarrjet me konflikt interesi do të duhej të zbatoheshin në funksion të parandalimit të situatave të tilla - vendimmarrjeve në kushte të konfliktit të interesit.

Si rrjedhojë, të drejtohen sytë vetëm tek Agjencia për parandalimin e Korrupsionit, për të mbikëqyrë dhe parandaluar këto lloj vendimmarrjesh të kësaj natyre, mbase është diçka utopike!

Pse është utopike? Sepse Agjencia me stafin e vet prej (8 +1 persona) nuk ka kapacitete të jetë në çdo proces vendimmarrës për të këshilluar, parandaluar dhe evituar vendimmarrjet e mundshme me konflikt interesi.

Të vetëdijshëm për këtë, qysh kur ka hy ligji në fuqi (2018), APK ka filluar fushatë sensibilizuese për të gjithë zyrtarët e lartë, qoftë me udhëzues praktik, qoftë me manual, qoftë me fletushka informuese, qoftë me shkrime publike individuale (sikur kjo), qoftë me spote televizive, e me publikime të formave të ndryshme, me qëllim që krejt këtë proces ta bëjë më të lehtë dhe të theksoj mënyrën, mundësitë si dhe obligimet ligjore për të shmangur konfliktet e interesave gjatë ushtrimit të funksioneve publike.

Është interesant se kur flitet për konfliktin e interesit si masë preventive ose parandaluese, kjo duket aq e thjeshtë deri në atë masë sa që shpesh herë dikujt mund t’i duket edhe si krejt e pa rëndësishme. Por, kur në praktikë po ndodhin situatat e vendimmarrjes me konflikt interesi, ato pastaj po bëhen shkaktar të anulimit të proceseve të ndryshme, të cilat pastaj pos që kushtojnë kohë për hetim administrativ, e vonesa në proceset vendimmarrëse duke shtyrë ose ngadalësuar ato, shpesh herë dinë të shkojnë edhe masa tjera, qoftë dënime me gjobë, apo edhe deri në shkarkim apo dorëheqje të ndonjë personi përgjegjës.

Duke qenë vet, tash e shumë vite, pjesëmarrës aktiv i analizës dhe trajtimit të këtyre situatave, kohëve të fundit është bërë dukuri fakti se shumë persona përgjegjës, qoftë individual apo edhe institucional, sikur bëhen të “pa dijshëm” te situatat e konfliktit të interesit dhe me idenë e tyre që “...vetëm varet çka thotë APK-ja”, harrojnë se përgjegjësia bie edhe te ta.

Në një anë kjo mund të kuptohet si besim në Agjencinë, por në anën tjetër sikur tregon një hezitim, pasiguri, për të mos thënë shmangie nga përgjegjësia që bie edhe te hallkat tjera, ashtu qysh i ka përcaktuar ligji, e që fillon nga vet zyrtari publik.

E vërtetë se Agjencia është autoriteti qendror për këtë çështje, por ashtu siç e thotë edhe ligji, përgjegjës për të identifikuar dhe parandaluar situatat e konfliktit të interesit janë edhe një varg personash tjerë, e të cilët do t’i listoj këtu në vijim.

Pra, përgjegjës për të identifikuar, deklaruar, parandaluar dhe shmangur situatat e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik janë:

- Vetë zyrtari publik,

- Udhëheqësi i drejtpërdrejtë i zyrtarëve sipas hierarkisë brenda një institucioni,

- Autoritetet e institucioneve dhe autoritetet udhëheqëse sipas ligjit,

- Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit

Pikërisht sipas kësaj radhitje, që ka bazë ligjore, shihet kjartë se Agjencia është autoriteti i fundit që duhet të vjen në shprehje për të zgjidhur ndonjë situatë të konfliktit të interesit, apo vetëm atëherë kur tri nivelet paraprake nuk kanë mundur, nuk kanë ditur, apo kanë dështuar të zgjedhin drejtë ndonjë situatë të tillë.

Çka po ndodh në praktikë?

Në praktikë po ndodhë që të tri këto nivelet paraprake të mos jenë çdo herë vigjilent dhe konsistent në kryerjen e detyrave të tyre, e në raste të caktuara të mos kenë as vullnetin e guximin, e mbase as besimin e mjaftueshëm, për tu respektuar në vendimet eventuale të tyre për këto situata.

Këtë situatë të këtillë, me raste, e ilustroj me një barcoletë të thjeshtë, që i ngjanë shumë kësaj gjendje.

Në një udhëkryq trafiku, vjen një veturë me shpejtësi të lartë dhe futet në semafor të kuq, duke kaluar udhëkryqin! Sapo kalon anën tjetër të udhëkryqit e ndal policia. Pyetjen e parë që ja bënë policia ishte: Pse u fute në drite të kuqe, a nuk e pe semaforin ?

Shoferi i pa disiplinuar u përgjigjet menjëherë, duke u thënë: “Po, semaforin e pashë, por juve nuk ju pashë”.

Që d.m.th., në këtë rast të gjithë ato situata me konflikt interesi personat përgjegjës nuk po i shohin fare shenjat sinjalizuese (autoritetet përgjegjëse brenda institucionit të vet), por fokusin e kanë vetëm tek Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (sikur policia e trafikut në barcoletë).

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK