Zërat
Musa Sabedini
Musa
Sabedini

Asnjë Qeveri nuk mund ta fitojë betejën me mediet, sulmet e orkestruara të rrezikshme dhe të dëmshme

Zërat July 23, 2024 - 18:36

Kam shkruar edhe më herët për ndikimin dhe presionin apo kërcënimet e shantazhet e shumta që po bëhen nga Qeveria, deputetë, aktivistë e simpatizantë me natyrë kriminale nën ombrellën e LVV-së, ndaj medieve dhe do të jem shumë i shkurtër kësaj radhe.

Asnjë Qeveri, asnjë zyrtar apo deputet nuk mund ta fitojë betejën me mediet e lira, të pavarura dhe profesionale.

Në të gjitha rrethanat i kam përkrahur mediet e sinqerta dhe të ndershme dhe edhe këtë herë jam në mbrojtje të tyre, duke kërkuar që institucionet e Kosovës të ndalin këtë turr e këtë yrysh kundër punës së gazetarëve të të gjitha medieve.

Është momenti i fundit që Albin Kurti ta kuptojë seriozitetin që përçojnë mediet kosovare, ta kuptojë njëherë e përgjithmonë se mediet e lira e të profesionalizuara janë shtylla e zhvillimit dhe avancimit të demokracisë në botë.

Unë nuk pres diçka të mirë apo pozitive kur i shoh këta argatët e LVV-së teksa sulmojnë prokurorë e gjykatës, hetues policorë e gazetarë të ndershëm, e të përkushtuar.

Këto fushata të përcjella me presione, e shantazhe, dëmin më të madh ia bëjnë partisë në pushtet, askujt tjetër, kurse mediat duhet të jenë më solidare me njëra tjetrën sepse vetëm kështu fitohet beteja ndaj Qeverisë, që po përçon vetëm arrogancë e pasiguri.

RTK-ja me gjestin e fundit dëshmoi se është larg standardeve profesionale.

(Autori është ligjërues në degën e Media dhe Komunikim në UBT)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK